E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: “Zero tolerancë”, retorikë boshe e Qeverisë

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se për partinë e tij është i papranueshëm fakti që Kosova vazhdon të numërohet ndër vendet me shkallën më të lartë të korrupsionit në Evropë, “ndërsa zotimet e stërpërsëritura për zero tolerancë kanë mbetur vetëm pjesë e retorikës boshe të kësaj qeverisje+.

Mustafa tha se është tërësisht e papranueshme që emri i Republikës së Kosovës të renditet ndër vendet më të varfra të botës,” kur ne kemi edhe resurse njerëzore, edhe resurse ekonomike për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarit tonë”.

“LDK-ja, po ashtu, e quan krejtësisht të papranueshëm faktin që vendi ynë vazhdon të numërohet ndër vendet me shkallën më të lartë të korrupsionit në Evropë, ndërkohë që zotimet e stërpërsëritura të Qeverisë së Kosovës për zero tolerancë ndaj kësaj dukurie të shëmtuar kanë mbetur vetëm pjesë e retorikës boshe të kësaj qeverisjeje. Ne ua kemi borxh gjithë atyre që u flijuan për Kosovën, të ndërtojmë një shtet të fortë e demokratik, një shtet që ofron perspektivë për qytetarët e saj, qe ofron ardhmëri për rininë, një shtet me të cilin do të krenohemi, ashtu siç krenohemi me martirët tanë që u flijuan për atdheun e tyre”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, LDK-ja është parti që e ka çmuar dhe do ta çmojë gjithmonë traditën. Kësodore, ajo i vlerëson lart të gjithë ata punuan për jetësimin e kauzës së saj dhe të Presidentit Rugova, që punuan dhe u flijuan për një Kosovë të lirë, demokratike e properëndimore!

Këto komente kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i bëri në një Akademi Përkujtimore në nderim të veprës dhe kontributit jetësor të veprimtarëve të saj të martirizuar, prof. dr. Bardhyl Çaushi, Prof. Mark Malota, Avokat Urim Rexha, Prof. Gjergj Sokoli, organizuar nga Dega e Lidhjes Demokratike te Kosovës në Gjakovë.

Mustafa tha se në dekadën e fundit të shekullit XX, Lidhja Demokratike e Kosovës i priu lëvizjes sonë të madhe për liri, pavarësi e demokraci dhe çmimi i të qenit në ballë është tepër i lartë.

Ndërkaq, rënia e njerëzve si Bardhyl Çaushi, Gjergj Sokoli, Urim Rexha, Mark Malota dhe shumë e shumë veprimtarëve të tjerë, sipas Mustafës është humbje e madhe për të gjithë , për familjet e tyre, për LDK-në dhe për gjithë Kosovën.

"Mirëpo, vepra dhe sakrifica e tyre sublime është themeli i fortë i së ardhmes së vendit tonë, për të cilin ata flijuan jetën", tha Mustafa./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›