Forcohet popullariteti i Berlusconit
Niveli i përkrahjes për kryeministrin e Italisë, Silvio Berlusconi, ka tejkaluar sërish nivelin prej 50 për qind, pasi që sulmi fizik kundër tij nxiti një valë të simpatisë për të, madje edhe në mesin e votuesve të opozitës, dëshmoi rezultati i një ankete më të re.
Berlusconi para një javë është qëlluar në fytyre nga një mashkull, i cili ja theu hundën dhe dy dhëmbë, gjatë një tubimi në Milano.
Anketa e publikuar nga Corriere Della Sera, dëshmoi se popullariteti i Berlusconit është ngritur në 55.9 për qind, për dallim nga 48.6 për qind, sa ka qenë nga mesi i nëntorit.
Hulumtuesi i respektuar i opinionit publik në Itali, Renato Mannheimer, theksoi se forcimi i popullaritetit të Berlusconit është më i dukshëm në mesin e të rinjve dhe të krishterëve të devotshëm. Por mbështetja për të është shtuar madhe edhe në mesin e votuesve të majtë, 17 për qind prej të cilëve shprehën qëndrim pozitiv për të.
Sulmi kundër Berlusconit, i ndërmarrë më 13 dhjetor, ka shokuar shumë italianë. Sulmuesi, Massimo Tartaglia, ka një histori të sëmundjeve mendore dhe nuk është i lidhur me ndonjë lëvizje politike, por aleatët e Berlusconit për këtë sulm fajësuan klimën e urrejtjes, të nxitur nga opozita.