Tendoset situata mes Kolumbisë dhe Venezuelës
Kolumbia njoftoi se është duke u përgatitur për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm ushtarak nga jashtë, pas shtimit të tendosjeve me Venezuelën fqinje, ndërsa presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, theksoi se Kolumbia do të pendohet për çfarëdo aksioni, që lëndon vendin e tij.
Pa akuzuar në mënyrë specifike Venezuelën, Ministri kolumbian i mbrojtjes, Gabriel Silva, theksoi se vendi i tij është duke përgatitur strategjinë, për të parandaluar çfarëdo sulmi të mundshëm.
Kolumbia, aleate e ngushtë e SHBA-së dhe Venezuela, presidenti i së cilit vend, Chavez, është njëri prej kritikëve më të mëdhenj të SHBA-së në Amerikën Latine, janë zhytur në një grindje të thellë politike dhe tregtare. Chavez ka theksuar se SHBA-ja, me ndihmën e Kolumbisë, po planifikon invadimin në Venezuelë, akuzë kjo e cila është mohuar nga Washingtoni.
Këto dy shtete hynë në luftë në vitin 1987, për shkak të grindjes në lidhje me kufirin detar mes dy vendeve.
Chavez në vitin 2008 dërgoi tanke në brezin kufitar me Kolumbinë, pasi që forcat kolumbiane ndërmorën aksion kundër një kampi të kryengritësve të majtë, brenda territorit të Ekuadorit.
“Ne Kolumbi, ne jemi të përqendruar në kërcënimin e brendshëm. Por rreziku po shtohet, ngase na është paraqitur mundësia e një aksioni ushtarak kundër Kolumbisë nga jashtë”, tha Silva.