Forcohet sërish leku shqiptar, euro humbet pikë

Leku shqiptar përsëri i fortë ndaj monedhës europiane. Gjatë kësaj fundjave euro ka humbur 2 pikë kundrejt lekut dhe një euro është shkëmbyer në tregun e këmbimit valutor me 138 lekë nga mbi 140 lekë që ka qenë gjatë javës. Sipas specialistëve ky shvlerësim i euros ka ardhur i ndikuar prej uljes së kësaj monedhe në tregjet ndërkombëtare të valutave ku kjo monedhë pësoi një shvlerësim rekord. Që prej disa muajve monedha europiane ka qëndruar në nivele rekord kundrejt lekut shqiptar. Madje edhe gjatë verës 1 euro është shkëmbyer në vlerën e 142 lekëve duke mos dhënë ndikim për ulje as të ardhurat që sjellin emigrantët.
Vetëm një javë më parë paniku nëse do të mbijetonte euro ose jo prej krizës ekonomike shkaktuan një shvlerësim të menjëhershëm por që zgjati vetëm për pak ditë. Ndërkohë vlen që të përmendet fakti se monedha amerikane ka fituar disa pikë kundrejt monedhës sonë. Një dollar është shkëmbyer në tregun e këmbimit valutor me 106 lekë nga 100 lekë që ka qenë disa ditë më parë.
Kriza ekonomike në Eurozonë ka dhënë efektet e saj në dobësimin e monedhës euro jo vetëm ndaj lekut por edhe ndaj monedhave të tjera. Por cilët janë ata persona të cilët preken më shumë prej luhatjeve të shpeshta të euros. Shqipëria është një vend që importon pjesën më të madhe të mallrave ushqimore të cilat blihen në euro duke ndikuar në uljen e çmimeve në vend edhe pse për pak kohë.
Sipas specialistëve shvlerësimin e euros e ndjejnë edhe ata persona të cilët kanë marrë kredi në monedhën e europiane euro pasi paguajnë më pak. Në Shqipëri pjesa më e madhe kredive merren në euro dhe kjo bën që shumë shqiptarë të preken drejtpërdrejt prej vlerësimit apo shvlerësimit të monedhës europiane.