E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcohet siguria në ujërat detare

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Iliria” ka komandant lejtnant Blerim Hoxhën dhe një ekuipazh prej 15 detarësh ushtarakë. Kjo anije e Rojes Bregdetare do të jetë pjesë e Flotiljes detare të Veriut, me qendër në Kepin e Palit, 12 kilometra në veri të Durrësit. Ajo ka një gjatësi prej 42 metrash dhe shpejtësi maksimale prej 30 miljesh në orë”

Ujërat detare të territorit shqiptar tashmë do të jenë edhe më të sigurta. Këtë qëllim ka dhe ndërtimi i katër anijeve patrulluese. Dje ka mbërritur në portin e Durrësit anija patrulluese ushtarake "Iliria". Kjo anije u prodhua në Holandë pas një marrëveshjeje dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze, e nënshkruar më 13 nëntor 2007, për ndërtimin dhe pajisjen e Brigadës Detare me 4 anije të reja patrulluese. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe kompanisë holandeze të prodhimit të mjeteve detare “DAMEN SHIPYARDS", anija "Iliria" u ndërtua në Holandë, ndërsa 3 anijet e tjera dhe përkatësisht "Orik", "Lisus" dhe "Butrinti" do të ndërtohen në kantierin e riparimit të anijeve në Pashaliman, Vlorë. Në ceremoninë e mbërritjes së kësaj anijeje në portin e Durrësit ishte i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.
Ceremonia
Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar mbërritjen e anijes "Iliria" si një tregues të fillimit të një përpjekjeje të madhe për modernizimin e Forcave Detare dhe forcave tona ushtarake në përgjithësi. “Shqipëria është një vend me një vijë të gjatë bregdetare dhe në këtë drejtim, roja bregdetare moderne përbën një siguri për brigjet tona, për luftën ndaj trafiqeve kriminale, misionet e kërkim-shpëtimit në det, si dhe për bashkëpunimin me forcat detare të vendeve të tjera”, - tha dje Berisha. Duke theksuar se anija "Iliria" është produkt i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Holandës, Berisha kujtoi me këtë rast kontributin e rëndësishëm që ka dhënë një shekull më parë, ushtaraku i lartë holandez, koloneli Thomson, në themelimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Njëkohësisht, Kreu i Qeverisë shqiptare siguroi pjesëtarët e forcave tona të armatosura se rritja e buxhetit në mbi 2 për qind të GDP-së për modernizimin e tyre, është një tregues i rëndësisë që Qeveria shqiptare i ka dhënë modernizimit dhe integrimit në NATO të forcave tona të armatosura. Kryeministri garantoi gjithashtu se Qeveria është e vendosur për përdorimin e teknologjive të reja në Forcat Detare, Forcat Ajrore dhe ato Tokësore shqiptare. “Mbërritja e së parës nga 4 anijet patrulluese të Rojes Bregdetare vjen një ditë pas ceremonisë së përcjelljes të trupave paqeruajtëse në Irak, si dhe pak kohë pas nisjes së forcave tona mbështetëse në Çad dhe Afganistan”, - tha ai. Në ceremoninë e organizuar në kalatën 5 të portit detar të Durrësit, kryeministri Berisha i dorëzoi komandantit të anijes "Iliria", lejtnant Blerim Hoxha, flamurin e anijes, i cili u ngrit nën tingujt e himnit tonë kombëtar. Po dje, anija e Rojës Bregdetare shqiptare ”Iliria”, e shoqëruar dhe nga anijet R-218 dhe R-221 ka bërë lundrimin e parë zyrtar, pas ceremonisë së organizuar në portin detar të Durrësit.
Ndërtimi
Anija e parë e patrullimit detar “Iliria” u ndërtua në Holandë dhe u nis drejt Durrësit më 3 gusht. Ajo është e tipit STAN Patrol Boat 4207 dhe është ndërtuar në kuadër të programit të modernizimit për pajisjen e Forcës Detare të Shqipërisë. Ajo mbërriti në Durrës më 27 gusht, pas dy javësh udhëtimi, në lundrimin e parë oqeanik për një anije ushtarake shqiptare, prej 2 mijë miljesh. “Iliria” ka komandant lejtnant Blerim Hoxhën dhe një ekuipazh prej 15 detarësh ushtarakë. Kjo anije e Rojës Bregdetare do të jetë pjesë e Flotiljes detare të Veriut, me qendër në Kepin e Palit, 12 kilometra në veri të Durrësit. Ajo ka një gjatësi prej 42 metrash dhe shpejtësi maksimale prej 30 miljesh në orë. Gjatë tre vjetëve të ardhshëm, në kantierin detar të Pasha Limanit, specialistët holandezë të kompanisë “Damen Shipyard” do të ndërtojnë edhe tri anije të tjera me emrat “Orik”, “Lisus” dhe “Butrinti”, emra që risjellin në përdorim tre qytete antike të Ilirisë.

Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›