E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët për deputetë propozohen nga baza

Autori i Lajmit: red.
Demokratët kanë gati formulën e përzgjedhjes se kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deputeti demokrat Edi Paloka sqaron se kjo formulë parashikon që propozimet të bëhen nga strukturat në bazë dhe më pas, duke marrë miratimin e kryesisë, ato do të përfshihën në listën e kandidaturave që, sipas rregullave të reja, do të jetë e mbyllur. “Propozimet kanë ardhur nga degët dhe pastaj kryesia ka shqyrtuar të gjitha kriteret që ne kemi përcaktuar për këto raste dhe kemi zgjedhur atë që kemi menduar që është kandidatura më e mirë. Kjo do të funksionojë prapë, nuk ka gjë të madhe”, - u shpreh Paloka. Ai sqaroi më tej ndryshimet që pritet të bëhen në struktura bazë të PD-së me qëllim përshtatjen e funksionit të tyre sipas rregullave të reja që parashikon Reforma Zgjedhore. “Deri tani ne kemi funksionuar si parti elektorale, e organizuar në bazë të zonave elektorale, pra, ka pasur çdo zonë strukturën e saj. Konkretisht, Tirana ka pasur për çdo zonë një nëndegë partie, dhe me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, sigurisht që dhe ne do të përshtatemi sa më mirë që në zgjedhjet e ardhshme dhe mënyra e zgjedhjes së kandidatëve të jetë e përshtatur me kodin e ri zgjedhor”, - përfundoi Paloka. Deputeti i PD-së thotë se është koha që të rishikohet edhe roli i funksioneve drejtuese në parti që, sipas tij, duhet të ndahen nga ato shtetërore, pasi një vendosje e tillë e ka lënë rolin e partisë në hije tre vitet e fundit. Por kjo çështje, së bashku me atë të rikthimit të të larguarve në PD, sipas Palokës, janë pika që kërkojnë detyrimisht rishikimin e statutit të partisë.

Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›