Forlan hyn në histori të Uruguait

Diego Forlan ka hyrë në histori të Uruguait si golashënuesi më i mirë i ‘Celeste’. Sulmuesi i Interit, që në të kaluarën luajti në Manchester United, Villarreal dhe së fundmi në Atletico Madrid, të martën mbrëma e ka shënuar golin e vetëm të uruguaianëve në barazimin 1-1 ndaj Paraguait, në kualifikimet për Botërorin 2014.
Forlan shënoi në minutën e 67-të për kampionin e Copa Americas, ndërsa u zëvendësua pak më vonë për shkak të një lëndimi.
Por, kjo ka pak rëndësi kur kihet parasysh goli historik, i 32-ti për të në Kombëtare nga 84 ndeshje, duke e kaluar rekordin e deritashëm të Hector Scarone.