LDK ka hisen kryesore në degradim të kryeqytetit

Tanimë është botërisht e ditur që LDK qeveris me Prishtinën që nga pas lufta, apo thënë më saktë që nga viti 2001. Dhe nga kjo kohe kanë kaluar hiç më pak se gati një dekadë e gjysmë. Kryetari aktual është kryetar i Komunës së Prishtinës qe 6 vite, që nga viti 2007. Pra, ky subjekt ka hisen kryesore në degradimin total të kryeqytetit.
Kështu ka konsideruar, Dardan Sejdiu, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
VV-ja mbajti konferencë për media në lidhje me procesin e vendimmarrjes në Komunën e Prishtinës. Në këtë konferencë prezantoi problematikën në lidhje me këtë çështje, Sejdiu thot se, Prishtina që 1 muaj para fillimit të fushatës zgjedhore sjell në Kuvendin Komunal të Prishtinës me një nguti të paparë dy dokumente të një rëndësie të veçantë dhe afatgjatë për kryeqytetin. Sipas tij, një qeverisje në ikje dëshiron të shfrytëzoj 2 seancat e fundit të kësaj legjislature komunale për të miratuar: Planin zhvillimor komunal për periudhën 2013 – 2022, dhe Strategjinë e zhvillimit lokal ekonomik të komunës së Prishtinës për periudhën 2013 – 2016.
“Qeverisja e Komunës së Prishtinës ka pasur mundësi qe 6 vite nën menaxhimin e kryetarit aktual, që të krijojë, hartojë e edhe të zbatojë Plane Zhvillimore Komunale dhe Strategji për Zhvillim Ekonomik Komunal por që këtë nuk e kanë bërë. E sidomos duke pasur parasysh premtimet e Kryetarit aktual që deri në vitin 2011 do të përfundoj planin zhvillimor urban dhe planin zhvillimor komunal dhe do të hartoj të gjitha planet rregulluese të qytetit të Prishtinës”, ka thënë Sejdiu.
Vetëvendosje e akuzoi qeverisjen aktuale të Prishtinës se ka qenë në funksion të interesave të pronarëve të parcelave tokësore, ridestinimin e pronave, degradimin total urban dhe rural dhe ndërtimeve të egra pa asnjë kontroll.
Për më shumë, sipas anëtarit të Vetëvendosjes, Prishtina në dekadën e fundit është bërë qytet në të cilin pushteti komunal e trajton atë si vegël për t'i shërbyer interesave të tregtarëve të parcelave dhe ndërtimeve te egra. “Sot Komuna e Prishtinës paraqitet dhe shpërfaqet si shtypje e vullnetit qytetar nga pushteti lokal. Sot komuna është e tjetërsuar. Si territor, si hapësirë, si pushtet dhe si administratë. Komunën e kanë lidhur pas interesit privat dhe politikës e administratës së korruptuar komunale”.
Sipas VV-së, Komunës së Prishtinës për 2013 - 2016 pushteti aktual komunal po mundohet që 1 muaj para ikjes të ruaj interesat dhe përfitimet private edhe pas largimit nga pushteti.
E gjithë kjo orvatje e qeverisjes komunale, sipas Sejdiut është e gabuar, apo e qëllimshme, në shume nivele.
“ a. E para ka të bëjë me legjitimitetin që ka një qeverisje 1 muaj para përfundimit të mandatit të kaloj plane afatgjatë. b.E dyta ka të bëj me mungesën e planifikimit që qeverisja komunale ka, nisur nga buxheti për sheshet i cili filloi me 2milion euro, dhe përfundoi me 11 milion, e deri te mos-planifikimi adekuat i buxhetit ku bartet 1/3 e buxhetit te vitit 2012 ne vitin 2013 për nevoja fushate, plotë 21milionë. c. E treta ka të bëjë me qasjen ndaj planeve strategjike a thua se janë 2km asfalt, pra vegël për joshje votash. d. Dhe e fundit, e qe është ndoshta edhe më e rëndësishmja e që ka të bëjë me logjikën e parcelave, pra planet duket se shtyhen dhe mbrojnë interesat e pronarëve të parcelave ndërtimore e jo ato të qytetarëve dhe publikut”, ka thënë Sejdiu /Indeksonline/