Formimi i qeverisë së re në Greqi, çështje orësh

Arrijnë kulmin konsultimet për krijimin e qeverisë së re greke dhe sipas të gjitha informacioneve, zgjidhja përfundimtare pritet deri nesër në mesditë, kur skadon edhe mandati i Samaras. Duket që gjithçka është çështje orësh, pasi cikli i dytë i negociatave mes ND, PASOK dhe DIMAR, me qëllim arritjen e marrëveshjes për qeverinë, po zhvillohet në klimë mirëkuptimi dhe konsensusi. Të tre liderët kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm telefonik për të zgjidhur çështjet që lidhen me angazhimet programore të qeverisë së re dhe me emrat e kabinetit, ndërsa në mbrëmje ka shumë mundësi të takohen për diskutime në tryezë.
Synimi është që të arrihet një skemë të vogël qeveritare, që ka gjasa të ketë 15 ministra dhe 20 zëvendësministra. Deri tani, emri i Antonis Samaras si kryeministër i ardhshëm, nuk ka hasur në asnjë kundërshtim nga partnerët e tij, Venizelos e Kuvelis, të cilët megjithatë i kanë kërkuar atij, konsensus për ministritë kryesore. Thuhet se ND dëshiron ministritë e Financave, të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, Rendit publik, të Drejtësisë, të Zhvillimit, Turizmit dhe anijeve.
Disa media greke thonë se Venizelos ka deklaruar se nuk do të jetë zëvendëskryeministër. Gjithashtu PASOK nuk do të marrë pjesë në qeveri me deputetë apo ish ministra të saj. Bëhet me dije se Venizelos i ka paralajmëruar deputetët dhe ish-ministrat e partisë së tij, se asnjë prej tyre nuk do të jetë ministër i qeverisë së ardhshme.
Në tryezën e negociatave ku po diskutohen ministrat e ardhshëm, janë hedhur emra nga të gjitha partitë, madje edhe nga ato jashtëparlamentare. Në qeverinë e Samaras, do të marrin pjesë edhe persona teknokratë. Burime afër situatës thonë se "debati në lidhje me përbërjen e qeverisë duhet të jetë i shpejtë dhe gjithçka do të finalizohet në mbrëmje". Ajo që mbetet tani është të zhvillohet një takim trepalësh ose një takim i Kryetarëve tek Presidenti i Republikës.
Antonis Samaras kërkon të formojë një qeveri të shpëtimit kombëtar, me përfshirje afatgjatë të palëve, që duan orientimin europian të vendit dhe euron. Qeveria që pritet të krijohet, do të vulosë periudhën e zgjedhjeve të zgjatura dhe anarkinë e dy muajve të fundit në vend.