Formohet Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës
Të shtunën, në Bujanoc, nga kuvendarët e Partisë për Veprim Demokratik, është themeluar Kuvendi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Me këtë rast, pa ndonjë kundërkandidat, Galip Beqiri, ish-kryetar i Bashkësisë lokale të Tërrnocit, dhe aktivist i PVD-së, është emëruar Kryetar i Kuvendit.
Ndonëse pa pjesëmarrjen e kuvendarëve të Partisë së Unionit Demokratik Shqiptar, parti kjo që doli në votime dhe përkrahu formimin e këtij këshilli, është themeluar Kuvendi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës, por vetëm nga kuvendarët e Partisë për Veprim Demokratik.
Nëntëmbëdhjetë delegatët e Partisë për Veprim Demokratik, nga gjithsej 29 kuvendarë sa është paraparë me ligj për formimin e Kuvendit në fjalë, kanë konstituuar sot Kuvendin e Këshillit Nacional.
Ashtu siç edhe ishte pritur, bazuar nga burimet brenga UDSH-së, në Kuvend nuk morën pjesë përfaqësuesit e Unionit Demokratik Shqiptar, parti kjo e cila e kishte përkrahur që në fillim iniciativën për themelimin e institucionit shqiptar të këtij rajoni.
Nga ana tjetër, aksionin për formimin e Këshillit Nacional e kanë bojkotuar partitë e tjera politike shqiptare që i tubojnë shqiptarët në Luginë të Preshevës si: Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Bashkimi Demokratik i Luginës dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Themelimi i Kuvendit të Këshillit Nacional bëhet pas përfundimit të procedurës së mbledhjes së nënshkrimeve për iniciativë, formimin e listës zgjedhore, zgjedhjeve të mbajtura më 6 qershor, dhe është përmbyllur të shtunën, me mbajtjen e Kuvendit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës. Tashmë mbetet të shihet nëse ky këshill do të jetë funksional, duke pasur për bazë bojkotin e fundit edhe të UDSH-së, ndërkohë, që konstituimi i tij është bërë vetëm nga delegatët e Partisë për Veprim Demokratik.
#