Kodheli: Qeveria po prek 70% të depozitave të shqiptarëve

Depozitat e qytetarëve shqiptarë po shfrytëzohen si hua për qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha. Konstatimi vjen nga Partia Socialiste, e cila përmes deputetes së saj, nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, ka paralajmëruar dje se kjo praktikë po e çon Shqipërinë drejt kolapsit. Ajo ka qenë konkrete teksa ka bërë të ditur se rreth 70% e parave të shqiptarëve po shërbejnë si fond huamarrjeje nga qeveria aktuale, e cila ka mbërritur në një pikë kritike sa po detyrohet të mbulojë krizën dhe gropën financiare duke marrë lekët e qytetarëve shqiptarë. “Qeveria shqiptare, e cila në gjysmën e parë të këtij viti ka dështuar në mbledhjen e taksave, madje ka mbledhur shumë më pak sesa ka parashikuar edhe vetë, me të njëjtën miopi që e çoi në planifikime jorealiste, po merr më tepër se 70% të depozitave të qytetarëve shqiptarë si hua, për të mbushur gropën e paaftësisë së saj...”, tha Kodheli. Një skenar ogurzi ky i cili duhet thënë se është paralajmëruar nga opozita përgjatë gjithë këtyre kohëve. Duke nisur që nga nisma e pasuksesshme me eurobondin, si një mënyrë për të marrë borxh, qeveria vijoi mandej me një operacion emergjence siç ishte edhe akti i shitjes së hotel “Dajtit” me një vlerë befasuese prej 30 milionë eurosh, për të mbërritur tanimë në një aksion huamarrjeje të brendshme që priret të paralizojë kreditimin e biznesit vendas. Manovrat shpërqëndruese të qeverisë me rritjen e pensioneve e bëjnë edhe më domethënëse krizën që fshihet pas optimizmit mediatik të Kryeministrit, teksa sipas Kodhelit edhe paratë për këtë veprim janë marrë pikërisht nga kursimet e qytetarëve. “Qeveria shqiptare gënjeu për rritjen e pensioneve, kur këto para i merr nga kursimet në banka të po këtyre njerëzve. Paratë e kursyera të bëra me punë të ndershme nga qytetarët e këtij vendi, nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të ndihmuar qeverinë në një ditë të zezë si kjo ku e kanë futur ata vendin me duart e tyre, për shkak të keqmenaxhimit të financave publike, korrupsionit e klientelizmit qeveritar dhe papërgjegjshmërisë”, tha Kodheli. Teksa ka shpjeguar mekanizmin që po përdoret nga qeveria për të grumbulluar para, deputetja socialiste nuk ka munguar të sqarojë edhe efektin konkret të këtij veprimi që në finale sipas saj përfaron katastrofën. Kështu, përveç uljes së fuqisë për të kredituar biznesin, çka sjell mungesë investimesh dhe mandej minimalisht mbajtjen e lartë të normës së papunësisë, ndërhyrja masive që po kryhet në depozitat e shqiptarëve rrezikon edhe stabilitetin e vendit. Për të kuptuar sesi kjo aventurë mund të sjellë acarime, Kodheli ka deklaruar se “ky veprim është më tepër se kërcënues për ekonominë... ai prek kursimet e të gjithë shqiptarëve e të afërmve të tyre që në rrethanat e krizës ekonomike ia kanë besuar kursimet e mundit dhe djersës se tyre, sistemit bankar. Në rast të një përkeqësimi të situatës financiare të qeverisë, ky veprim do të ishte jo vetëm katastrofa e një kombi, por edhe katastrofa e secilës familje shqiptare, një skenar i frikshëm, që për më tepër ka ndodhur një herë në këtë vend, nën kontrollin e dy zotërinjve të sipërpërmendur”. Më thjeshtë; situata po imiton parimin e piramidave, kur një rritje e menjëhershme e kërkesës së depozituesve për para e vendos huamarrësin para një momenti pamundësie për shlyerje. Në këtë rast, sipas logjikës së përcjellë nga Kodheli, borxhi i qeverisë, duke cenuar depozitat e ka lënë sistemin bankar të ekspozuar para një skenari falimentimi nëse kërkesa e qytetarëve për para do të rritej për shkak të krizës.
#