E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formohet Këshilli i Shotës

Pas shumë e shumë kohësh, Ansambli Kombëtar Shtetëror të Këngëve dhe Valleve “Shota” po bie në dyzen. Ministri Valtin Beqiri, pas dy vjet të mandatit të tij si ministër, po e emëron këshillin drejtues të këtij institucioni. Ky institucion është përballur me probleme të mëdha viteve të fundit. Para më shumë se 2 vjetëve drejtues i këtij institucioni ishte Agron Shala, ndërsa në anën tjetër ishin punëtorët e këtij ansambli të cilët assesi nuk pajtoheshin me menaxhimin e tij. Më pas ish – Ministri i Kulturës së Kosovës formon një bord të përkohshëm udhëheqës të përbërë nga Dilaver Kryeziu, Mustafë Halili si dhe Ahmet Brahimaj. Më pas si ushtrues detyre i drejtorit të “Shota” caktohet Dilaver Kryeziu dhe tash e një vjet nuk ka pasur bord udhëheqës.

“Ka qenë një kaos dhe pakënaqësi mes stafit kur ky bord ka marrë punë e tyre në dorë. Madje 6 apo 7 muaj nuk kanë punuar fare”, tha një burim brenda “Shota”, duke mos dashur ta tregojë emrin.

Pak ditë më parë ka përfunduar edhe konkursi për zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni. Formimi i këshillit do t’i hapte rrugë zgjedhjes së drejtorit.

Pjesë e këtij Këshilli Drejtues të ansamblit “Shota” janë: Sevime Gjinali, profesoreshë e artit muzikor, Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Drejtoratit për Kulturë në KK të Prishtinës, Nazmi Demaj, përfaqësues i seksionit të valltarëve, Fitim Bytyqi, përfaqësues i seksionit të orkestrës, Ismet Bogujevci, përfaqësues i solistëve vokal, Zeynel Abidin Ustaibo, kryetar i Bordit të SHKA “ Gerqek”, Kamuran Goranci, udhëheqës i DASMP/ përfaqësues i MKRS-së. Emërimi i këtij këshilli thuhet se është bërë në bazë të nenit 145 paragrafi 2 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, neni 1.3, pika d e Rregullores 2001/19 mbi Degën e Ekzekutivit të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, dhe bazuar në Ligjin Nr. 03/L-056 për Ansamblin Kombëtar Shtetëror të Këngëve dhe Valleve “ Shota”.

“Ky këshill e ka për detyrë zgjedhjen e drejtorit”, thotë Dilaver Kryeziu, ushtrues detyre i ansamblit “Shota”.

Ndërsa detyra e këtij këshilli drejtues përveç zgjedhjes së drejtorit, miraton statutin e ansamblit, nxjerr dhe miraton rregulloret dhe aktet e ndryshme normative që rregullojnë marrëdhënie të caktuara nga veprimtaria e ansamblit, miraton programin e punës së ansamblit, miraton planin financiar dhe llogarinë përfundimtare të ansamblit, zgjedh dhe emëron drejtorin e ansamblit, zgjedh udhëheqësin artistik të ansamblit, zgjedh dhe emëron punëtorët e rregullt dhe bashkëpunëtorët e angazhuar nga jashtë.

Emrat e konkurrentëve për drejtor
Gazeta Express ka siguruar disa nga emrat e konkurrentëve për Drejtor të Aansamblit “Shota”: Dilaver Kryeziu, Uran Limani, Ilaz Niçki, Mehmet Xhemajli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›