E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saim Kokona feston 76-vjetorin e lindjes

Përvjetori AQSHF përgatit një album fotografik mbi krijimtarinë e artistit

Saim Kokona, kinematografi i njohur shqiptar, “Artist i Merituar”, do të festojë të premten paradite në Teatrin Kombëtar, 76-vjetorin e lindjes. Në aktivitetin e organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, për të nderuar operatorin dhe drejtorin e fotografisë të më shumë se 30 filmave artistikë e dokumentarë, do të prezantohet albumi fotografik me krijimtarinë e Saim Kokonës, botim i AQSHF. Gjatë këtij takimi mes miqsh, kolegësh e dashamirës të tij, nuk do të mungojnë diskutimet e përshëndetjet, si dhe do të shfaqet një montazh, 27 minuta, me disa nga krijimet më të mira në karrierën e gjatë artistike. Saim Kokona lindi në Gjirokastër, më 26 shkurt 1934. Në moshën 10-vjeçare shpërngulet familjarisht në Tiranë, ku mori edhe arsimin e parë. Kreu liceun artistik, “Jordan Misja”, për pikturë. Studimet e larta i mbaroi në çeki për operator në vitin 1960. Nga viti 1960, deri në vitin 1991, kur edhe doli në pension, punoi në kinostudion “Shqipëria e Re” si operator, ku realizoi 30 filma artistikë e po aq filma dokumentarë. Ka punuar me regjisorë të shquar si: Dhimitër Anagnosti, Vitor Gjika, Piro Milkani, Gëzim Erebara, Xhanfise Keko, Rikard Ljarja, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani e shumë të tjerë. Ndër filmat e tij më të suksesshëm janë: “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Ndërgjegjja”, “Brazda”, “Beni ecën vetë”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni”, “Njeriu i mirë”, “Taulanti kërkon një motër”, “Apasionata”, “Shpella e piratëve” etj. Filmat e tij dallohen për intuitën artistike, për mënyrën e xhirimit, këndet e vështrimit, kompozimin e kuadrit, të cilat futen thellë në botën shpirtërore të aktorit dhe vijnë natyrshëm te spektatori.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›