Gjashtëdhjetë piktorë të traditës, në një ekspozitë
Thimi Nika ka zgjedhur Beratin për të ekspozuar një pjesë të veprave të koleksionit të tij privat. Në muret e galerisë “Edward Lear” do të qëndrojnë grafika, vizatime, por edhe piktura të realizuara ndër vite nga piktorët tanë të traditës, pjesa më e madhe e tyre të ndarë nga jeta. Ekspozita që do të çelet nesër, ora 16:00, është pak a shumë një retrospektivë në krijimet e artistëve, punët e të cilëve tashmë gjenden në koleksionin familjar, në Galerinë Kombëtare të Arteve, ose në ndonjë koleksion privat si ky i Nikës. Publikut do t’i prezantohen krijime ndër vite të emrave të njohur si: Ibrahim Kodra, Abedin Dino, Lin Delija, Sali Shijaku, Danish Jukniu, Ismail Lulani, Vangjush Mio, Aristotel Papa, Guri Madhi, Fatmir Haxhiu, Naxhi Bakalli, Jakup Keraj etj., por edhe të artistëve që sot vazhdojnë të krijojnë. Motivet e prezantuara janë të ndryshme, që nga portreti, natyrat e qeta, kompozimet, punimet në akuarel etj. “Berati është qyteti im, unë atje jam rritur dhe kisha një detyrim moral që këtë koleksion ta sillja edhe për publikun e këtushëm”, shprehet Nika. Kjo është e treta ekspozitë që ai çel me vepra të koleksionit të tij. është prezantuar më parë në galerinë “Didart” dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Për ekspozitën “100 vepra nga 60 artistë shqiptarë”, ka zgjedhur krijime që në pjesën më të madhe janë të paekspozuara më parë. Nika shprehet se fillimisht kishte menduar të prezantonte vetëm grafika dhe vizatime, por meqenëse galeria ofronte hapësirë të mjaftueshme, do të ketë edhe piktura. Ato janë pjesë e koleksionit të tij prej 350 veprash, të mbledhura gjatë një kohe 30-vjeçare. “I kam mbledhur në shumë mënyra. Një pjesë të tyre i kam blerë, një pjesë janë shkëmbime mes kolegëve të tjerë koleksionistë e të tjera të falura. Një pjesë të mirë të piktorëve që sot nuk jetojnë më, i kam pasur miq. Abdurrahim Buza më ka dërguar në 1985-ën një vepër me dedikim. Ibrahim Kodra më ka bërë në 1991-shin një portret gjatë një festivali të këngës arbëreshe. Do të ekspozoj po ashtu një vizatim të bërë nga Theohar Gjini, i cili ka jetuar në Francë”, tregon Nika. Pjesën më të madhe të këtyre pikturave, vizatimeve apo grafikëve i ka koleksionuar kryesisht para viteve ‘90. Tregu vazhdoi të ishte i mirë për koleksionistët edhe disa vite më vonë, kur ende qarkullonin vepra të këtyre artistëve (ka pasur raste, të shitura edhe për çmime simbolike, si pasojë e mosnjohjes së vlerave). “Sot është shumë e vështirë të gjesh vepra të Buzës, Jukniut, Lulanit, Kerrajt, Papës dhe piktorëve të tjerë”, tregon Nika.
#