E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formohet departamenti për krime serioze

Procesi i dialogimit për transicionin e misionit të EULEX-it deri në mbylljen e plotë të funksionimit të tij, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi, ka filluar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, akoma pa u iniciuar dhe miratuar rezoluta e javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se kjo temë është biseduar me zyrtarët gjatë qëndrimit të tij dhe kryeministrit Thaçi në Bruksel, në fokur të takimit Thaçi- Daçiq.

Kuçi tha se nga rezoluta e Kuvendit vetëm se dalin edhe disa detyra shtesë në këtë proces, që ishte në fazën e diskutimit me faktorin ndërkombëtar. Ai tha se plani i transicionit duhet përgatitur me detajet e veta deri në fund të muajit gusht, duke pasur në konsideratë edhe konsulta të gjërave rreth hartimit të tij, shkruan Kosova sot.

“Besoj që ne do ta bëjmë një përgatitje të tillë, e natyrisht që me pëlqimin edhe të kryeministrit unë do ta koordinoj një plan të tillë, duke përfshirë edhe aktorët e tjerë të institucioneve për rend dhe ligj, nga Qeveria e Kosovës, nga Prokuroria, por edhe në konsultim me përfaqësuesit ndërkombëtar, sikur që është EULEX-i dhe aktorët e tjerë”, ka thënë Kuçi.

Sipas Kuçit, Qeveria do të bëjë të gjitha përgatitjet për strukturën e re në Gjyqësor dhe Prokurori, duke përfshirë edhe krijimin e një departamenti për krime serioze, i cili do të vendoset në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe i cili do të jetë kompetent për korrupsionin në nivelin e lartë, për krimin e organizuar, për terrorizmin, për shpërlarjen e parave dhe për krimet e luftës.

“Edhe ky departament do të bëhet përmes ndryshimeve ligjore dhe ne presin që në fillim të vitit tjetër ai të fillojë punën”, ka thënë Kuçi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›