E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1 Schumi-Merecedes GP, kontrata një hap larg

Autori i Lajmit: Redaksia
Michael Schumacher është shumë pranë rikthimit në Formula 1 me makinën Mercedes GP. Ish- 7 herë kampioni i botës duhet të hedhë vetëm firmën mbi kontratë për të rinisur karrierën e braktisur 3 vjet më parë. Këtë herë kokëkuqja nga Maranello e ka plotësuar stafin, ndërsa Mercedes GP i ofron një kontratë të majme për tu ulur në krah të Nico Rosberg, çka do të thotë se në vitin 2010 mund të kemi një skuderi 100 % gjermane. Lajmin e rikthimit te mundshëm e japin njerëz të afërt me Schumacher, por kjo kuptohet edhe nga deklaratat e Bernie Eçlestone.

Eksperienca

Skuaderia më e re gjermane e Formula 1, Mercedes GP (ish Braun GP), kërkon që përkrah pilotit të sapoardhur Nico Rosberg të marrë edhe një tjetër pilot me eksperiencë. Prej kohësh zërat në ambientet e këtij sporti flasin për një rikthim të 7 herë kampionit të Botës, Michael Schumacher. Rikthimi i legjendës gjermane të automobilizmit tanimë është më i afërt, pasi vetë drejtori teknik i kësaj skuderie (Mercedes GP), Stephen Fry, tha se “do të ishte në të mirën e të gjithëve nëse Schumacher-i do të rikthehej në Formula 1”.

Tratativat

Më tej Fry mohoi çdo kontakt të skuderisë së tij me Schumin. “Ne jemi në bisedime me shumë pilotë dhe është ende herët që të bëjmë bilancin. Çfarë mendoj unë nëse një pilot 40-vjeçar do të sfidonte disa të tjerë të moshave 24-25? Në sportet e tjera është parë qartë që diferenca e moshës nuk ka shumë rëndësi. Rreth kësaj çështjeje unë mendoj se është pikërisht kjo diferencë që i jep një bukuri të rrallë këtij kompeticioni”.

Zyrtarizimi

Sipas drejtorit teknik të Mercedesit, Stephen Fry, zyrtarizimi i pilotit të dytë do të bëhet pak ditë përpara Krishtlindjeve. “Mendoj se maksimumi deri në fillim të janarit, - vazhdon Fry,- ne do ta zgjedhim pilotin e dytë. Nëse do të jetë gjerman? Do të ishte shumë bukur. Gjithsesi, mendoj se ajo çka është më e rëndësishme është fakti që piloti të jetë në gjendje që të marrë pikë në të gjitha çmimet e mëdha. Klasifikimi për konstruktorë na intereson shumë dhe prandaj them se vetëm po morëm pikë në çdo çmim të madh, mund ta fitojmë atë. Neve na duhen dy pilotë të zotë, ashtu siç kishim edhe këtë vit tek Braun-i”, - përfundoi drejtori teknik i Mercedesit, Fry.

Pa timon edhe fitues

Edhe pse akoma nuk bën pjesë zyrtarisht midis pilotëve të Formula 1 që do të marrin pjesë në Botërorin e 2010-ës, Michael Schumacher është midis pilotëve favoritë për fitimin e trofeut. Në pritje të akordit me Mercedesin, “bookmaker”-sat e kompanisë së basteve, “Unibet”-it e kanë futur pilotin 7 herë kampion bote midis kandidatëve të mundshëm për fitore në Formula 1. Schumi kuotohet 9-1. Përpara tij janë vetëm Hamilton (3,50), Alonso (4,50), Vettel (6,00) dhe Button (7,00). Ish-piloti gjerman i Ferrarit ka më shumë shanse për të fituar këtë Botëror, edhe pse Felipe Massa është kuotuar, me koeficientin 10,00. Një renditje tillë sështë aspak keq për një pilot që së shpejti do të mbushë 41 vjeç dhe që nuk garon në një çmim të madh që prej katër vjetësh, edhe pse mund të quhet Michael Schumacher.
Ky lajm është publikuar: 11/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›