E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi, Rama: “Topi të bëhet garant i të drejtave kushtetuese”

Autori i Lajmit: Redaksia
Në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje mbi situatën politike, por dhe pas deklarimit të Kreut të Shtetit se nuk mund të ndërhyjë te partitë politike për të zgjidhur krizën, Edi Rama takon presidentin Bamir Topi. Pas një takimi të kërkuar nga vetë Rama që zgjati rreth 30 minuta, kryesocialisti deklaroi se i ka kërkuar presidentit, si garant i Kushtetutës, të ndërhyjë për zgjidhjen e çështjes. Sipas Ramës, takime të tilla bëhen sepse në Shqipëri janë cenuar themelet e demokracisë. Pak minuta pas deklaratës së Ramës, Kreu i Shtetit ka bërë të ditur rezultatet e takimit. Lidhur me shqetësimet e kryesocialistit, Presidenti garantoi se do të ndjekë çdo rrugë ligjore në funksion të pavarësisë së institucioneve. Ky takim mes Topit dhe Ramës është i pari që pas bojkotit që PS i ka shpallur Kuvendit. PS ka bojkotuar seancat parlamentare që pas zgjedhjes së deputetëve të rinj nën pretendimin se Kuvendi është ilegjitim, pasi u grabitën votat në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Takimi

Kryesocialisti Rama, pas kërkesës së tij, ka zhvilluar dje një takim me presidentin Topi. Pas takimet me të për rreth 30 minuta Rama ka pohuar për mediat se i ka shprehur Kreut të Shtetit shqetësimet lidhur me demokracinë në vend. “E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës për të shprehur shqetësimin e thellë të opozitës në emër të të gjithë popullit opozitar çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës, në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë dhe ku kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë”,- u shpreh Rama për mediat. Kreu i socialistëve nuk bëri të ditur nëse i kërkoi Presidentit të zgjidhë ngërçin politik ku është futur vendi, por konfirmoi se i ilustroi presidentit gjithë situatën kaotike ku ndodhet vendi. “Pa dyshim që ia ilustrova me shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh, dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liritë dhe të drejtat kushtetuese duke luajtur rolin e tij”,- u shpreh Rama. Menjëherë pas deklaratës së tij, lidhur me takimin, ka dhënë sqarimet e saj dhe Presidenca. Zyra e Shtypit ka informuar se Rama i shprehu Kreut të Shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet rreth gjendjes aktuale të institucioneve të sistemit të drejtësisë si dhe zhvillimeve më të fundit për situatën në vend. Lidhur me këto shqetësime, Presidenti garantoi kreun e PS se do të ndjekë çdo rrugë ligjore në funksion të pavarësisë së institucioneve. “Pasi dëgjoi qëndrimin e Kryetarit të Partisë Socialiste lidhur me këto çështje, Presidenti i Republikës ripërcaktoi edhe një herë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve, dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës”, - thuhet në njoftimin e Presidencës. Takimi mes tyre vjen një ditë pas deklaratës së Topit se nuk mund të ndërhyjë te partitë për të zgjidhur krizën. “Në respekt të pozicionit të Presidentit, i cili është një pozicion kushtetues, shumë institucional, jepen apelet e nevojshme, të domosdoshme në kufirin apo në limitin e mosinterferencës në vullnetet politike të partive. Kjo është shumë e rëndësishme. Këto apele i kam bërë herë pas here, smund të them që kanë qenë frekuente, por janë bërë në kohën dhe në vendin e duhur. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike”, - tha ai. Kreu i Shtetit pohoi se ai, po ashtu si çdo qytetar shqiptar, uron që të rritet niveli i komunikimit politik dhe dialogut politik. “Kjo është në mënyrë ekskluzive në vullnetin e partive”, - tha ai, ndërsa shtoi se jo pa qëllim iu referua çështjes së numrit të partive parlamentare, sepse përkthehej në tryezat e partive politike parlamentare. “Në këtë ambient, në tetor, nëntor, në mos gaboj të vitit 2007 është zhvilluar një tryezë e gjerë e partive politike parlamentare në funksion të ligjit të ri elektoral dhe ju e mbani mend. Sot, pa dyshim, ka aktorë shumë të rëndësishëm të jetës politike, por aktorët në Parlament natyrisht që janë reduktuar që do të thotë që vullnetet politike mund të konsiderohen tani në pjesën e mazhorancës dhe të opozitës në Parlament”, - ka pohuar ai.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›