E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter-Juve, Zakeroni e ka me arbitrin

MILANO- Interi ka vënë nën presion Romën në betejën për titullin kampion në Itali, duke triumfuar 2-0 ndaj Juventusit, në një ndeshje që sërish nuk u shpëtoi polemikave. Sfida luhej pas akuzave të shumta dhe urrejtjes së rilindur për shkak të procesit të Calciopolit që po zhvillohet në Gjykatën e Napolit. Tensioni te dy skuadrat në fushë ka qenë i lartë dhe kjo u pa sidomos te ndërhyrjet e rënda nga të dy krahët. Bardhezinjtë kanë treguar një nivel më të lartë se në ndeshjet e fundit, por që nga minuta e 37-të ata luajtën me 10 vetë, për shkak të një kartoni të kuq të marrë nga maliani Momo Sisoko. Në pjesën e dytë, Interi e rriti presionin, por e pati shumë të vështirë të zhbllokonte rezultatin. çerek ore para përfundimit ishte mbrojtësi Dagllas Maikon ai që realizoi me një gjuajtje fluturimthi, duke çuar në delir tifozerinë zikaltër dhe trajnerin Murinjo. Ndeshja u mbyll me një tjetër gol të Samuel Eto, që e çon Interin në kuotën e 70 pikëve, 2 më shumë se Roma, e cila ndeshet të dielën me Lacion. Pas ndeshjes, trajneri Alberto Zakeroni ka fajësuar arbitrin për humbjen, duke e quajtur të gabuar kartonin e parë të verdhë të dhënë nga Sisoko. “Arbitri Damato nuk ishte në lartësinë e sfidës dhe ne u mundëm prej tij”, deklaroi trajneri i skuadrës bardhezi.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›