Formula 1 kthehet në Evropë, pilotët entuziastë në Spanjë
MADRID- Formula 1 do të zhvillojë në fundjavë garën e saj të pestë, ndërsa të gjitha skuderitë kanë zbarkuar tashmë në Barcelonë të Spanjës. Kjo është gara e parë europiane për këtë kampionat, që ka nisur në mënyrën më emocionuese të mundshme për shkak edhe të rregullave të reja. Pista e Barcelonës është nga më të preferuarat e pilotëve, për shkak se ata kryejnë gjithnjë teste aty dhe e njohin mirë atë. “është një cirkuit shumë i mirë, përgjithësisht këtu moti nuk është i keq”, deklaroi piloti i Red Bull Mark Veber. Sipas tij, shirat e shumtë që kanë rënë në pistat aziatike, sollën ndryshime të mëdha gjatë garës, por këtë herë do të jetë më ndryshe. Në garën e së dielës, ndryshimet në makina janë të shumta. Ferrari ka bërë disa modifikime në pjesën e prapme të makinës, ndërkohë që MekLaren ka kërkuar të përmirësojë makinën përsa i përket shpejtësisë në vijë të drejtë. Gjithsesi, këto ndryshime do të shihen më mirë gjatë garës. “Në Barcelonë është e nevojshme të kesh një makinë që në aspektin aerodinamik është perfekte”, deklaroi piloti i Ferrarit Fernando Alonso. “Ka shumë kthesa të gjata, prandaj aerodinamizmi është i rëndësishëm. Veç kësaj, ka shumë rëndësi që ta nisësh nga vendi i parë, pasi kjo të jep një avantazh të madh”, u shpreh më tej piloti spanjoll. Pas 4 garave të para, Botërori i Formula 1 kryesohet nga Xhenson Baton me 60 pikë, i ndjekur nga Niko Rozberg me 50 dhe dyshja Fernando Alonso-Ljuis Hamilton me nga 49 pikë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)