E Diel, 1 Nëntor 2026

Lipi: Italia, gjithnjë protagoniste në Botëror

ROME- Trajneri i Italisë Marçelo Lipi ka nisur që tani përgatitjet për Botërorin e Afrikës së Jugut, duke zhvilluar një grumbullim dy ditor për të parë nga afër futbollistët që mund të grumbullojë. 30 lojtarë kanë qenë nën urdhrat e teknikut kampion bote, duke përjashtuara ata të Romës dhe të Interit, ndërkohë që zgjedhjet e tij do të mbesin mister edhe për pak ditë. Lipi ka qenë nën një presion të madh muajt e fundit, për shkak të mosthirrjes në kombëtare të futbollistëve që kanë shkëlqyer këtë sezon si Kasano apo Fabricio Mikoli. Megjithatë, ai duket i vendosur për të mos e bërë një gjë të tillë, ndërkohë që e ka lënë rrugën të hapur për kapitenin e Romës Françesko Toti, duke thënë se më 11 maj, kur të publikojë listën përfundimtare, do të merret vesh gjithçka. Ndonëse të kaltërit nuk shihen favoritë për fitimin e Kupës së Botës në Afrikë, Lipi ka një mendim tjetër për këtë. “Sa herë që afrohet kampionati botëror, njerëzit nuk e llogarisin Italinë, por ne kemi qenë protagonistë në çdo Botëror, kështu që nuk shoh arsye përse të mos jemi këtë herë”, deklaroi Marçelo Lipi. I pyetur në lidhje me mundësinë që Kupa e Botës të jetë objekt i sulmeve terroriste, ai u shpreh se beson tek masat e marra. “Përdersa ka patur kërcënime ndaj skuadrave, mendoj se çdo lëvizje jona do të monitorohet me kujdes, kështu që nuk besoj se do të kemi probleme. Nëse do të kenë probleme tifozët, këtë nuk di ta them”, u shpreh trajneri i Italisë. Sipas Marçelo Lipit, Brazili dhe Spanja do të jenë sërish dy skuadrat e preferuara të komentatorëve, por ai theksoi se të gjithë duhet t’u ruhen ekipeve afrikane në këtë Kupë Bote. Nga 30 futbollistët që ka marrë në këtë grumbullim, Lipit do t’i duhet të zgjedhë vetëm 23 për në Afrikë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›