E Diel, 1 Nëntor 2026

Një adoleshent vret shtetasin dhe plagos të atin e viktimës

06/04/2010 Ngjarja në festën e Pashkëve, në pragun e kishës. Shkak, konflikti për një kanal vaditës

SHKODER- Krismat e armëve kanë gjakosur festën e Pashkëve në Dukagjin të rrethit të Shkodrës. Një i ri ka mbetur i vrarë në vend, ndërkohë që i ati i tij është plagosur rëndë teksa po ktheheshin të dielën mbrëma për në shtëpi nga festimet dhe urimet për paqe e mirësi ndërmjet njerëzve. Grindja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur në lidhje më një kanal vaditës që përdornin familjet e viktimave me atë të autorit.

Ngjarja

Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodër, me t’u marrë informacioni grupi policor është nisur në vendngjarje ku ka konstatuar se ishte 24-vjeçari Zek Tonaj dhe ka mbetur i plagosur rëndë i ati i tij, shtetasi 69-vjeçar Ndue Tonaj. Grupi e hetimor ka filluar menjëherë punën për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që i plagosuri Ndue Tonaj është dërguar urgjentisht drejt spitalit të Shkodrës, ku dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Brenda pak orësh grupi hetimor ka rritur të identifikojë si autor të kësaj ngjarje shtetasin 17-vjeçar Mirash Pjetri, si dhe të zbardhë shkaqet e kësaj ngjarje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në vendin e quajtur “Breglumi”, të komunës Shalë -Dukagjin, pikërisht tek “Ura e Re”. Babë e bir, Ndue e Zek Tonaj kishin dalë nga kisha së bashku me besimtarët e tjerë pas ceremonive festive të Pashkëve dhe ishin nisur për në banesën e tyre në “Breglumi”. Sapo kanë mbërritur tek Ura e Re para tyre ka dalë me një armë automatik në dorë bashkëfshatari i tyre shtetasi Mirash Pjetri. Sipas burimeve policore, hetimet paraprake kanë nxjerrë se mes shtetasve Tonaj dhe Pjetri ka pasur një shkëmbim të ashpër fjalësh. Më pas 17-vjeçari Pjetri ka shkrehur automatikun në drejtim të dy shtetasve Tonaj dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Plumbat e shumtë kanë qëlluar për vdekje të riun Zek Tonaj dhe e kanë plagosur rëndë të atin e tij shtetasin Ndue Tonaj. Krismat e armës kanë tronditur të gjithë zonën, ndërkohë që mjaft banorë kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje, ku i kanë dhënë ndihmën e parë shtetasit të plagosur Ndue Tonaj, ndërkohë që kanë konstatuar se shtetasi Zek Tonaj kishte ndërruar jetë menjëherë. Banorët kanë lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen, ndërkohë që kanë dërguar urgjentisht në spitalin rajonal Shkodër shtetasin Ndue Tonaj, i cili vazhdon të jetë në gjendje të rëndë edhe pas ndërhyrjes së mjekëve, për shkak të plagëve të shumta që ka marrë në të gjithë trupin. Që mbrëmjen e së dielës dhe gjatë gjithë paradites së të hënës, forca të shumta policie kanë “krehur” të gjithë zonën e Dukagjinit dhe kanë marrë në pyetje me dhjetëra banorë të zonës që mund të kishin dijeni për ngjarjen. Në sajë të punës së mirëorganizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me forcat e FNSH-së Shkodër, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Mirash Pjetri (Hasanaj), vjeç 17, banues në Shalë, Dukagjin. Kapja e tij është bërë rreth orës 14:45, të së hënës në fshatin Micaj, të komunës Shalë të Dukagjinit. Shtetasi Pjetri u kap në një banesë të braktisur. Së bashku me autorin e shpallur në kërkim u bë e mundur dhe gjetja e sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të armës së krimit tip automatik. Ndërkohë burimet policore shprehen se nga veprimet e para hetimore është mësuar se shkak i kësaj ngjarje është bërë një grindje e pak ditëve më parë që autori i krimit shtetasi Mirash Pjetri ka pasur me viktimën, shtetasin Zek Tonaj. Grindja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur lidhje me një kanal vaditës që përdornin të dy familjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›