E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula për pikët e universitetit



Për pak ditë pritet që të publikohen notat e provimeve me zgjedhje. Me marrjen e këtyre rezultateve, maturantët do të jenë gati për të plotësuar formularin A2.

Me anë të tij, ata do të përzgjedhin 10 nga 200 degët e shkollave të larta. Renditjen do ta bëjnë nga dega më e preferuar në atë më pak të preferuar. Por specialistët e Ministrisë së Arsimit i këshillojnë të kenë kujdes. Përpara se të plotësojnë formularin A2, i cili do të shpërndahet në shkolla pas datës 15 korrik, të gjithë kandidatët për në universitet duhet të bëjnë një llogari të pikëve që grumbullojnë, nga të pesë komponentët e Maturës Shtetërore. Përkatësisht ata janë provimi i Matematikës, ai i Letërsisë, lëndët me zgjedhje dhe mesatarja e katër viteve të shkollës. Të gjithë komponentët kanë të njëjtën peshë, e cila arrin në 20%. Për t'u ardhur në ndihmë maturantëve, Ministria e Arsimit vë në dispozicion shembuj të llogaritjes së pikëve sipas formulës që aplikohet. Kjo skemë do të jetë e vlefshme për të gjithë maturantët, me përjashtim të atyre që do të konkurrojnë në Arkitekturë, Akademinë e Arteve dhe atë të Sporteve. Këta kandidatë do të kualifikohen vetëm në bazë të konkursit. Formula e llogaritjes së pikëve, të cilën duhet ta përdorë çdo maturant është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja e katër viteve të gjimnazit, D1 = provim i detyruar i letërsisë, D2 = provim i detyruar i matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti, sipas provimeve me zgjedhje. Pasi të kenë bërë llogaritjen e pikëve, maturantët mund të gjejnë në sajtin e Ministrisë së Arsimit një tabelë, e cila tregon pikët e fituesit të fundit në degën përkatëse. Në këtë mënyrë, ata do të kenë një ide se ku kanë më shumë shanse për të fituar.
Formulari A2
Mbi bazën e llogaritjes së mësipërme kandidatët për në universitet do të plotësojnë formularin A2, duke shënuar të parën degën ku kanë mbledhur më shumë pikë dhe i janë përafruar fituesve të vjetshëm. Pas këtij hapi, në varësi të pikëve të marra dhe të preferencës së kandidatëve, do të përcaktohet dega dhe universiteti ku ai rezulton fitues. Ministria e Arsimit, pasi të ketë shpërndarë në shkolla formularin A2, do t'u lërë mesatarisht një javë kohë maturantëve për ta plotësuar. Në rast se ndonjëri prej tyre nuk kryen këtë procedurë, ai humbet të drejtën e aplikimit në shkollat e larta. Për herë të parë këtë vit u vendos si kusht që A2 të plotësohej pas marrjes së rezultateve të provimeve me detyrim e atyre me zgjedhje. Kjo, pasi vitet e kaluara sipas Ministrisë së Arsimit shumë maturantë janë "djegur", duke bërë zgjedhjen e gabuar, pasi e plotësonin formularin përpara se të bënin llogaritjen e pikëve. Në një fazë të dytë do të jetë Agjencia e pranimit në institucionet e arsimit të lartë, e cila në mënyrë elektronike do të bëjë llogaritjen e pikëve për çdo kandidat. Ata do të shpallen fitues vetëm në një degë. Po kështu, një tjetër ndryshim i këtij viti është edhe heqja e formularëve A3 dhe A4, për të përzgjedhur fituesit nga vendet bosh. Nga sa ka vendosur MASH, përzgjedhja e fituesve do të përmbyllet vetëm në një fazë. Argumenti i ministrisë për këtë masë është se vitet e shkuara, procesi është zgjatur deri në muajin nëntor e dhjetor, çka ka krijuar jo pak konfuzion në shkollat e larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›