E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A-2, plotësimi fillon më 22 korrik

Me mbarimin e të gjitha provimeve të Maturës Shtërore, maturantët, për të fituar të drejtën e studimit në universitete publike, duhet të konkurrojnë sërish me 10 preferenca të listuara në formularin A-2, që do të shpërndahet më 20 korrik në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit.

Ky formular përmban gjithsej 289 programe të ndryshme studimore për të gjitha universitetet publike në vend. Nga këto programe kandidatët do të listojnë vetëm disa prej tyre, sipas kushteve të vendosura. Plotësimi i formularit A-2 do të bëhet pas shpalljes së rezultateve të të dy provimeve me zgjedhje.

Vendosja e raporteve të drejta ndërmjet rezultateve të arritura në të katër provimet si dhe përzgjedhja e degëve në varësi të notës mesatare të arritur nga kandidati në shkollën e mesme çon në përzgjedhjen e degëve fituese.

Maturantët duhet të bëjnë kujdes në listimin e degëve ku duan të ndjekin studimet e larta. Specialistët këshillojnë që të parat preferenca duhet të jenë ato degë universitare që janë të ngjashme me llojin e shkollës së mesme që ka mbaruar nxënësi. Në këtë rast, kandidati do të sigurojë më shumë pikë në rezultatin përfundimtar, krahasuar me pikët që mund të arrinte po të rendiste degë të profilit të kundërt.

Kjo pasi koeficientet që përfshihen në procesin e llogaritjes janë më të larta për profilet e ngjashme të fakulteteve me llojin e shkollës së mesme. Përllogaritjet e bëra kanë treguar se përzgjedhja e profileve diametralisht të kundërta do të shoqërohet me rënie të ndjeshme të pikëve.

Kështu, nëse maturanti ka mbaruar për drejtim shoqëror, por në listë vë të parat lëndët e profilit natyror, mund të humbasë nga përllogaritja jo pak, por 1000 pikë, ose më shumë. Kjo mund të jetë fatale për të, sepse jo vetëm merr më pak pikë, por kjo diferencë mund ta eliminojë kandidatin nga kuotat e përcaktuara për fituesit.
Me anë të formularit A-2 merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë. Për të marrë formularin A-2 nxënësi duhet të ketë bërë pagesën prej dy mijë lekësh në një bankë dhe të paraqesë faturën e pagesës së bërë.

Në rregullore përcaktohet se do të vijojnë konkurrimin vetëm ata maturantë që janë klasifikuar kalues në të katër provimet, ndërsa pjesa tjetër duhet të shlyejnë detyrimet e mbetura për të konkurruar sërish në vitin pasardhës. Megjithatë, përveç rezultateve të larta të arritura në provime, një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve fitues do të luajnë edhe koeficientet e shkollës së mesme dhe të degës së fakultetit, si dhe nota mesatare e shkollës së mesme.

Plotësimi i formularit A-2 është i detyruar edhe për kandidatët që do të japin konkursin për akademitë, qofshin këto artistike apo sportive. Ngjashëm me maturat e shkuara, edhe për këtë vit fluksin më të lartë të kërkesave pritet ta ketë Universiteti i Tiranës, tetë fakultetet e të cilit përmbajnë programet studimore më të pëlqyera nga maturantët.

Pranë këtij universiteti vetëm 6 mijë nga 48 mijë kandidatët për shkollë të lartë do të mund të vijojnë studimet e larta. Për t’u pranuar në degët më të kërkuara këta kandidatë duhet të kenë edhe një mesatare të lartë, që për 10 programet e preferuara pritet të shkojë mbi notën tetë.

Programet që kërkojnë një mesatare mbi tetë janë: Stomatologjia, Farmacia, Mjekësia e përgjithshme, Inxhinieria e ndërtimit,  Informatika ekonomike, Drejtësia, Financa, Shkencat politike, Inxhinieria elektronike dhe Psikologjia.
/Start/

                                                                                             2011-07-09 18:32
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›