Formulari A1, afati i dorëzimit nga maturantët deri më 10 mars
Brenda datës 10 mars, maturantët që do të aplikojnë për një vend në auditorët e shkollave të larta, do të duhet të kenë plotësuar Formularin A1. Por, deri tani ky formular ende nuk është dorëzuar në komisionet e shkollave që janë ngritur për maturën shtetërore. Në bazë të rregullores së maturës shtetërore, brenda javës tjetër duhet të jetë shpërndarë Formulari A1, ndërkohë që janë publikuar dhe koeficientët për lëndët përkatëse. Deri në datën 25 mars shkollat do të dorëzojnë tabelat përmbledhëse, për të gjithë maturantët që do t’i nënshtrohen procesit të maturës.
Ndërsa, Ministria e Arsimit, brenda datës 30 qershor, kur do të ketë përfunduar dhe faza e parë e procesit të maturës që përfshin dy provimet e detyruara të letërsisë dhe matematikës, duhet të publikojë formularin A2, që do të jetë dhe i fundit, për përcaktimin e degëve ku maturanti dëshiron të studiojë. Po në bazë të rregullores maturanti, duhet ta ketë dorëzuar këtë formular brenda datës 30 korrik. Të gjithë maturantët që në vitet shkollore, duke filluar nga 2005 e deri në 2009, kanë dhënë vetëm provimet e detyruara, për të ndjekur programet e studimit që ofrohen në institucionet e arsimit të lartë publik këtë vit, duhet të japin provimet me zgjedhje, në shkollat e mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara.
Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë drejtorive arsimore, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë.
Përjashtohen nga ky rregull kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.
#