E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e Berishës, si u nda pushteti

6 kryetarë mbetën “duarbosh”, 4 u bënë zv/ministra, 3 këshilltarë, Mediu ministër

Pjesa më e madhe e kryetarëve të partive, të cilët lidhën marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokratike, ende nuk kanë marrë emërimin pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ndonëse koalicioni i gjerë me 16 parti, i formuar nga kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht Kryeministri Berisha, rezultoi i suksesshëm në zgjedhjet e qershorit, pjesa dërrmuese e kryetarëve të partive që u bënë pjesë e kësaj strukture, kanë ngelur të “pashpërblyer”. 8 nga 15 partitë e futura në garë nuk janë ende të përfaqësuara në ekzekutivin e drejtuar nga Partia Demokratike. Kryetarët e partive, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian; Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet; Balli Kombëtar Demokrat; Demokracia e Re Europiane; e të Drejtave të Mohura e Re; Forca Albania; Ora e Shqipërisë dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, nuk kanë arritur ende përfaqësimin në qeverisje. Nga ana tjetër, në një analizë, tashmë pas gjashtë muajsh qeverisje, shikon që i vetmi aleat parazgjedhor i PD-së, i cili është emëruar në postin e një ministri, është kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Sakaq, lista e ndarjes së pushtetit pasohet me disa emërime në postet e zëvendësministrave, ku ka përfituar kryetari i PBLD-së Arian Starova, ai i LDK-së Nikoll Lesi, PBK me Adriatik Alimadhin dhe PLL-ja me Ekrem Spahinë. Më pas lista vijon me këshilltarët, ku Kryeministri Berisha ka preferuar të zgjedhë si ndihmës të tij kryetarin e PAD-së, Neritan Cekën dhe atë të PAA-së, Lufter Xhuvelin. Burimet pranë PD-së bëjnë të ditur se tashmë pjesa e mbetur e paemëruar nga lista e aleatëve parazgjedhorë të PD-së, pritet të emërohen në pozicione drejtorësh dhe se tashmë mund të konsiderohen si të mbyllura emërimet në nivele të larta drejtuese. Partia e komunitetit çam, PDI, e cila ndonëse ka marrë 14.447 vota, ende nuk është e përfaqësuar me asnjë post në ekzekutiv. Duket se debatet e brendshme të kësaj partie, e cila arriti të përfaqësohej edhe me një deputet në Parlament, ka frenuar Kryeministrin Berisha për të bërë edhe ndarjen e pushtetit mes PD-së dhe PDI-së. Ky “mosshpërblim” i një pjese të konsiderueshme të drejtuesve të partive të koalicionit lidhet edhe me faktin se 20% e pushtetit të marrë nga koalicioni i djathtë në zgjedhje i ka kaluar me një marrëveshje paszgjedhore Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte pikërisht kjo parti e cila i dha PD-së katër deputetë pas procesit zgjedhor, duke i garantuar mundësinë Kryeministrit Berisha të arrijë të formojë shumicën për kabinetin qeveritar. Ajo që vihet re është se në asnjë rast deri tani, ndarja e pushtetit nuk ka shkaktuar debate ose probleme mes mazhorancës aktuale. Reagime negative nuk pati as vetë brenda Partisë Demokratike, kur LSI u përfaqësua në qeveri me tre ministra dhe me postin e zëvendëskryeministrit, pa llogaritur numrin e zëvendësministrave dhe drejtuesve të tjerë të lartë nga kjo parti në qeveri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›