E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A1, nëse gabon në plotësim, hiqet e drejta e studimit

Ministria e Arsimit këshillon maturantët të kenë kujdes në plotësimin e formularit A1 dhe A1z


Të gjithë maturantët dhe ata që kanë përfunduar shkollën e mesme, por këtë vit konkurrojnë për të fituar të drejtën e studimit në universitetet publike duhet të bëjnë kujdes gjatë plotësimit të formularit A1 ose A1z.


Në udhëzimin që ka publikuar për plotësimin e këtij dokumenti, MASH i tërheq vëmendjen të gjithë kandidatëve që të plotësojnë në mënyrë të kujdesshme formularin, pasi në rast gabimesh kandidatit i hiqet e drejta për të fituar të drejtë studimi.


Për tu regjistruar në Maturën Shtetërore 2010, maturantët e vitit shkollor 2009-2010 duhet të plotësojnë Formularin A1, ndërsa të gjithë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme, përpara vitit 2010, dhe që plotësojnë kriteret, plotësojnë formularin A1z.


Sipas udhëzimit të MASH, formularët A1 dhe A1z duhen plotësuar me germa kapitale dhe duhen dorëzuar pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH), brenda datës 10 mars 2010.


Në rast se kandidati ka bërë gabime gjatë plotësimit të formularit, ai mund të plotësojë një formular tjetër A1 ose A1z, të cilët zëvendësojnë të parët. Zëvendësimi i formularëve mund të bëhet vetëm brenda afatit të dorëzimit të tij, (10 mars 2010). Pas kësaj date kandidatët nuk kanë të drejtë të bëjnë ndryshime të tjera dhe humbasin të drejtën për e kandidimit për në universitet, për vitin akademik 2010-2011.

UDHËZIME PËR PLOTËSIMIN E FORMULARIT
Në hapësirat e lëna bosh tek Formulari A1, plotësoni:

1. Shkruani emrin e DAR ose ZA, ku ndodhet shkolla, pranë së cilës ju do të jepni provimin;


2. Shkruani emrin e qytetit ose fshatit, në të cilin ndodhet shkolla juaj;


3. Shkruani emrin e shkollës ku ju po studioni;


4. Bazuar në tabelën Nr.1 (Indekset e profileve/degëve), gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni, p.sh., Gjimnazi Drejtimi Shoqëror, në tabelë ka indeksin 2, në formular ju do shënoni numrin 2. (Plotësohet në bashkëpunim me mësuesin kujdestar).


5. Shënoni emrin tuaj • Shënoni emrin e babait • Shënoni mbiemrin tuaj
(këto duhen shkruar me germa kapitale dhe në përputhje me dokumentin e identifikimit)


6. Shënoni datëlindjen tuaj, duke plotësuar me dy shifra ditën dhe muajin, (p.sh., 05/12/1989).


7. Vendosni një shenjë në formë kryqi në kutinë që i përket gjinisë suaj. P.sh., nëse i përkisni gjinisë femërore shënoni një kryq [X] në kutinë përbri fjalës "Femër";


8. Nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Itali shënojnë një kryq [X] në kutinë përbri PO.


9. Qarkoni IV ose V dhe shkronjat përkatëse A, B, C, D, E, F, G, H, I, K, L, M, N, O, P, Q, R, S. (P.sh., nëse jeni në klasën IV B, qarkohet IV dhe shkronja B dhe nëse jeni në klasën V D, qarkohet V dhe shkronja D). Në rastin kur shkolla ka përdorur numra për emërtimin e klasave, mësuesi kujdestar të konvertojë, numrin në shkronjë, sipas radhës së përcaktuar më sipër.


10. Bazuar në listën e lëndëve me zgjedhje të poshtëshënuar qarkoni 2 lëndët me zgjedhje që do të jepni provim dhe numrat që u korrespondojnë atyre.
P.sh., 6 Njohuri për Shoqërinë dhe 8. a Anglisht. Në lëndët që do të qarkohen, vetëm njëra mund të jetë gjuhë e huaj. P.sh., nuk mund të qarkoni; Anglisht dhe Frëngjisht, Anglisht dhe Italisht, etj.


UDHËZIME PËR PLOTËSIMIN E FORMULARIT A1z
Në hapësirat e lëna bosh tek Formulari A1-Z, plotësoni:


1. Shkruani emrin e DAR ose ZA, ku ndodhet shkolla, pranë së cilës ju po aplikoni dhe do të jepni provimin;


2. Shkruani emrin e qytetit ose fshatit, në të cilin ndodhet shkolla;


3. Shkruani emrin e shkollës ku keni kryer studimet;


4. Bazuar në tabelën Nr. 1 (Indekset e profileve/degëve), gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju keni ndjekur, p.sh., Gjimnazi Drejtimi Shoqëror, në tabelë ka indeksin 2, në formular ju do shënoni numrin 2.


5. Shënohet ID që keni pasur në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008, 2009. Tek MSH (viti) shënohet viti dhe tek ID shënohet numri që keni pasur si ID në atë vit. Nëse jeni pajisur dy a më shumë herë me ID, shënohet viti i fundit dhe ID e vitit të fundit. Nëse kandidati regjistrohet për herë të parë në Maturën Shtetërore, pikën 5 nuk e plotëson.


6. Shkruani emrin tuaj, emrin e babait dhe mbiemrin tuaj


7. Shënoni datëlindjen tuaj, duke plotësuar me dy shifra ditën dhe muajin, (p.sh. 05/12/1989).


8. Vendosni një shenjë në formë kryqi në kutinë që i përket gjinisë suaj. P.sh. nëse i përkisni gjinisë femërore shënoni një kryq [X] në kutinë përbri fjalës "Femër";


9. Shënoni vitin kur keni përfunduar studimet në shkollën e mesme, (p.sh. 2006, 2007, 2008, 2009).


10. Nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Itali shënojnë një kryq [X] në kutinë përbri PO.


11. Shënoni lëndët e detyruara, notën e shkallëzuar dhe notën vjetore të tyre. Në rastin kur kandidati nuk ka likuiduar njërën nga të dy lëndët e detyruara, do të shënojë emrin e të dy lëndëve, notën e shkallëzuar të lëndës që ka likuiduar dhe notën vjetore e të dy lëndëve. Në rastin kur kandidati nuk ka likuiduar asnjërën nga të dy lëndët e detyruara, do të shënojë emrin e të dy lëndëve dhe notën vjetore e të dy lëndëve.


12. Lëndët me zgjedhje mund të rijepen, por dhe mund të mbarten njëra ose të dyja, sipas dëshirës së kandidatit.


13. Në hapësirat bosh, shënohet emri i lëndëve me zgjedhje që do mbarten dhe vitin kur janë dhënë provim. Nëse lëndët që do të mbarten janë dhënë provim më shumë se një herë, atëherë në formular duhet të shënohet viti i fundit kur është dhënë provim kjo lëndë.


14. Nëse keni mbartur dy lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve të mëparshme, pika 13 nuk plotësohet.


15. Nëse keni mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje, duhet të qarkoni vetëm një lëndë me zgjedhje.

*************************

Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni, në listën e lëndëve me zgjedhje, nuk duhet të jetë gjuhë e huaj. Gjithashtu, lënda e qarkuar nuk duhet të jetë e njëjtë me lëndën e detyruar apo me lëndën me zgjedhje.


16. Nëse NUK keni mbartur lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e viteve 2006, 2007, 2008, 2009, atëherë duhet të qarkoni dy lëndë me zgjedhje, në listën e lëndëve me zgjedhje. Lëndët që do të qarkoni, nuk duhet të jenë të dyja gjuhë e huaj. P.sh., nuk mund të qarkoni; Anglisht dhe Frëngjisht, Anglisht dhe Italisht etj.

Për të shmangur abuzimet, vlerësimi i provimeve të lirimit të nxënësve do të bëhet nga dy korrigjues

Provimet e lirimit, njësoj si matura shtetërore

Nxënësit që po ndjekin klasën e nëntë, do t'u duhet të nisin përgatitjen për provimet e lirimit, të cilat do të zhvillohen në qershor.


Edhe këtë vit provimet e lirimit do të menaxhohen nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Në rregulloren e publikuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për provimet e lirimit thuhet se AVA ka për detyrë të hartojë teste të standardizuara, për të cilat do të përdorë të njëjtën metodë që përdoret për hartimin e testeve të maturës.


Provimet e lirimit për nxënësit e klasës së nëntë, më parë hartoheshin nga shkollat, por duke u bazuar në një udhëzim të Ministrisë së Arsimit. Sipas kësaj metode nxënësit pyeteshin dhe vlerësoheshin nga mësuesit e tyre, duke e bërë këtë proces subjektiv.


Testet e hartuara nga AVA synojnë që të eliminojnë këtë dukuri. Përvç kësaj, rëndësi i është kushtuar edhe procesit të vlerësimit të provimeve. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë, të cilat më pas ekuivalentohen në notë. Çdo përgjigjeje e dhënë nga nxënësi do të vlerësohet duke u mbështetur në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA.


Kjo skemë është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Komisioni për Provimet e Lirimit përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre, të cilët do të vlerësojnë testet. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues, secili prej tyre firmos në çdo test që vlerëson.


Ashtu si edhe në Maturën Shtetërore, kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.


Shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se pesëmbëdhjetë ditë pas çdo provimi të PL. Pranë Drejtorive Arsimore Rajonale, deri në datën 15 mars duhet të jetë ngritur Komisioni i Provimeve të Lirimit, i cili përbëhet nga pesë anëtarë, me kryetar drejtorin e DAR/ ZA-së dhe katër anëtarë të tjerë, punonjës të DAR/ZA.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›