E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, renditja e provimeve pa u penalizuar

22/02/2010 Pranimet në universitet, pjesë e programeve më të kërkuara bëhen maturantët me mesataren mbi 8

Maturanti duhet të ruajë profilin e shkollës së mesme gjatë listimit të dy provimeve me zgjedhje

Për t’u bërë pjesë e universiteteve, e veçanërisht atij në kryeqytet, maturantët jo vetëm që duhet të kenë mesatare të lartë, por duhet të marrin rezultate të kënaqshme edhe në katër provimet e maturës shtetërore 2010, si dhe të bëjnë përzgjedhjen e duhur të dy lëndëve që do të japin provim. Sipas të dhënave të publikuara nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Pranimit në Universitetet (APRIAL), rezulton se në dhjetë programet më të kërkuara për studimet e larta gjatë vitit të shkuar janë pranuar nxënësit më mesataren e shkollës së mesme mbi notën 8. Konkretisht bëhet fjalë për degë si stomatologji, farmaci, mjekësi e përgjithshme, inxhinieri ndërtimi, drejtësi, financë, shkenca politike, informatikë etj. Ndërkohë me qindra maturantë që kanë përzgjedhur këto degë, por që nuk kanë respektuar kriteret e mësipërme, janë përballur me përjashtimin nga e drejta e studimeve në këto programe. Ndonëse këta të fundit kanë arritur rezultatet të mira në provime, nuk kanë mundur të bëhen pjesë e këtyre programeve për shkak të përzgjedhjes së gabuar të lëndëve me zgjedhje që duan të japin provim dhe renditjes së degëve në formularin A-2. Për të shmangur këto përplasje, në provimet e 2010-s janë publikuar llojet e koeficienteve jo vetëm për degët e universiteteve, por dhe për profilet e shkollave të mesme para nisjes së plotësimit të formularit A-1. Në këtë mënyrë maturantët do të kenë mundësi të përcaktojnë për provimet me zgjedhje dy lëndë që kanë më shumë probabilitet për t’i shpallur fitues. Sipas ekspertëve, konkurruesit për universitet duhet të bëjnë shumë kujdes, në mënyrë që të caktojnë ato lëndë që përshtaten me profilin e shkollës së tyre. Kjo për vetë faktin se këto të fundit rezultojnë të kenë edhe koeficientin maksimal në përllogaritjen e rezultatit final. E kundërta do të ndodhte në rast se do të përcaktoheshin për provimet me zgjedhje lëndë që nuk janë të profilit të shkollës së mesme ku ka mbaruar maturanti. Në këtë rast ai do t’i heqë vetes shumë pikë, për shkak se koeficientet që do të përdoren në llogaritjen e rezultatit final do të jenë më të ulëta për rastet kur nxënësi që i përket profilit shoqëror cakton për provimet me zgjedhje lëndë të profilit natyror dhe e anasjella. Kështu, përzgjedhja e drejtë e lëndëve për provimet me zgjedhje është edhe kyçi kryesor i sigurimit të një vendi në universitet. Po ashtu maturanti do të penalizohet me humbje të pikëve edhe në rastet kur i përket profilit shoqëror, por zgjedh si preferenca të para degë të drejtimit natyror, ndërkohë që jep provime me zgjedhje të profilit shoqëror. Sipas ekspertëve, ky shembull tregon se maturanti duhet të ruajë profilin e shkollës së mesme si dhe të kërkojë të japë provime me zgjedhje ato lëndë që i përshtaten programit të studimit që dëshiron të ndjekë.

Rregullorja e provimeve 2010, afatet e plotësimit të formularëve A-1 dhe A-2

Çdo maturant, pavarësisht nëse jep apo jo provimet e lëndëve me zgjedhje, plotëson dhe dorëzon formularin A-1 dhe A-1Z brenda datës 10 mars.

Shpërndarja e formularit A-2 në DAR/ZA do të bëhet nga APRIAL-i më datën 20 korrik.

DAR/ZA-të do ta shpërndajnë formularin A-2 në shkolla më datën 21 korrik.

Maturantët do të marrin formularin A-2 më 22 korrik dhe e dorëzojnë atë më 28 korrik.

Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta, duhet të plotësojnë formularin A-2 brenda datës 30 korrik dhe ta dorëzojë atë në shkollë pasi maturanti është njohur me të gjitha rezultatet e provimeve të maturës.

Nuk kanë të drejtë të plotësojnë formularin A-2 maturantët që rezultojnë mbetës në një nga provimet e detyruara ose me zgjedhje të maturës.

Shkollat duhet t’i dorëzojnë formularët A-2 pranë DAR/ZA-ve më 29 korrik.

DAR/ZA-të, pasi bëjnë verifikimet përkatëse, i dërgojnë formularët, të ndarë sipas shkollave, së bashku me tabelat e regjistrimeve zyrtarisht me shkresë përcjellëse në APRIAL brenda datës 31 korrik 2010.

Pikët finale, ndarja për 5 komponentet përbërëse të maturës

Pesë komponentet përbërëse të maturës shtetërore, nga ku do të listohen kandidatët fitues për kuotat e universiteteve, do të kenë të njëjtën peshë në përzgjedhjen e kandidatëve fitues. Kështu, mesatarja e shkollës së mesme si dhe notat e katër provimeve (dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara) do të vlerësohen secila me 20 për qind të totalit të përgjithshëm të pikëve të rezultatit final që mbledh secili prej aplikuesve. Nga ky rregull do të përjashtohen shkollat e mesme profesionale social-kulturore, ku përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) do të jetë e ndryshme. Sipas rregullores së provimeve, për shkollat profesionale provimi i matematikës do të vlerësohet me 25 për qind, ndërsa letërsia do të ketë 15 për qind të peshës së pikëve të maturës. Për shkollat social-kulturore gjuha shqipe dhe letërsia do të vlerësohen me 25 për qind, ndërsa matematika me 15 për qind të peshës së pikëve.

Programet më të kërkuara me mesataret e pranuara

Stomatologji 8.95– 9.1

Farmaci 8.91–9.08

Mjekësi e përgjithshme 8.76–8.95

Inxhinieri ndërtimi 8.69–8.86

Informatikë ekonomike 8.55–8.75

Drejtësi 8.48–8.6

Financë 8.36–8.57

Shkenca politike 8.35–8.5

Inxhinieri elektronike 8.27–8.48

Psikologji 8.18–8.26

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›