Vlorë, u shkatërrohen shtëpitë, 30 familje në çadra

Rrëshqitjet e dheut/ Në tre fshatra të rrethit janë 55 shtëpi të shpallura të pabanuara, ndërsa një numër më i madh rrezikojnë të kenë të njëjtin fat
VLORË - Rrëshqitjet e dheut së fundmi po rrisin gjeografinë e tyre në qarkun e Vlorës. Në fshatin Kocul të komunës Vllahinë shumë shtëpi janë të pabanueshme nga rrënimi total i tyre, si dhe rreziku i shembjes së të tjerave. Janë rreth 33 banesa të cilat janë shkatërruar nga shkarja e tokës, duke humbur tërësisht funksionin e tyre, madje duke u kthyer në rrezik real për banorët.
Kryetari i komunës së Vllahinës, Sokol Hodaj, ka bërë me dije se janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre 30 familje për shkak se ato janë bërë të pabanueshme nga shembja pothuajse totale e tyre. Për të parë këtë situatë nga afër, një ditë më parë ka qenë në këtë zonë zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili e ka vlerësuar situatën kritike.
Për familjet, si zgjidhje provizore janë vënë në dispozicion çadra, ndërsa problemi i tyre është përcjellë në strukturat qeveritare, për të dhënë zgjidhjet e strehimit. Siç shprehen vetë banorët, situata në këtë fshat është alarmante, pasi toka po rrëshqet nga dita në ditë dhe nga 80 shtëpi që ka ky fshat, vetëm ¼ e tyre ka gjasa t'i rezistojë kësaj shkarjeje masive, fenomen që ka përfshirë së fundmi këtë zonë.
Fillon zhvendosja e familjeve në Treblovë
Të tjera rrëshqitje të dheut janë vërejtur në fshatin Treblovë, që ndodhet pak kilometra nga fshati Kocul. Banorë të këtij fshati mësohet që të kenë nisur tashmë zhvendosjen tek të afërm të tyre në Vlorë apo në këtë zonë, të cilët nuk janë të prekur nga fenomeni. Banorë të këtij fshati pohojnë se janë rreth 20 banesa të rrezikuara seriozisht nga shembja dhe deri më sot, sipas tyre, nuk ka ardhur asnjë përfaqësi nga komuna apo struktura të qeverisë.
Vetëm pak ditë më pare, fenomeni u shfaq shumë shpejt në fshatin Trevllazër. Janë mbi 25 banesa në këtë fshat, të cilat janë shpallur të pabanuara, ndërkohë që rrëshqitjet e dheut vijojnë, ndihmuar edhe nga shirat e rënë gjatë kësaj periudhe.
Qyteti, ende probleme tek ujësjellësi
Po kështu si shkak i rrëshqitjeve të dheut vijon të jetë e rrezikuar edhe depoja e ujësjellësit në qytetin e Vlorës, ndërkohë që tubat furnizues janë çarë dhe kanë dalë jashtë funksionimit.
Shkarjet e dheut në këtë zonë kanë nxjerrë tërësisht në rrugë banorët e një familjeje, shtëpia e të cilëve është çarë, ndërsa të njëjtin fat ka gjasa të kenë edhe banorët e një tjetër familjeje, pasi edhe banesa e tyre ka pësuar gjithashtu çarje. Ndërkohë, furnizimi me ujë i qytetit bregdetar vijon të ketë probleme për shkak të çarjes së tubave.
*************************
FIER/ Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës kryetarët e komunave kanë kërkuar ndihmë për banorët
Çarja e tokës dëmton rreth 40 banesa e 10 ha tokë
FIER - Dëmet e mëdha të shkaktuara nga rrëshqitja e dheut në Fier ka bërë që të mblidhet urgjentisht shtabi i emergjencës pranë kësaj prefekture.
Fakti që dhjetëra familje kanë mbetur pa shtëpi ose u është dëmtuar banesa dhe toka bujqësore ka bërë që kreu i qarkut, Luan Muçaj, i shoqëruar nga zv.ministri Pone, të nisin një inspektim në komunat më të dëmtuara.
Në fshatin Peshtan Bregas të komunës Frakull, Pone ka deklaruar se shteti do të ndërhyjë për t'iu ardhur në ndihmë banorëve fillimisht me mjete emergjente dhe më pas një komision do të kryejë verifikimet e dëmeve, të cilat do të shlyhen.
Ndërkohë, në Prefekturën e Fierit shtabi i emergjencës ka mbledhur të gjithë drejtuesit e komunave të rrethit, të cilët kanë raportuar situatën e krijuar në komunat e tyre nga rrëshqitjet e dheut.
Më keq është paraqitur situata në komunën Kurjan. Kryetari i saj, Hamza Toro, u shpreh se në të janë dëmtuar 29 shtëpi, të cilat kanë shkarë dhe pjesa më e madhe e tyre janë të pabanueshme.
Në lagjen "Bërsë" 15 banesa kanë pësuar çarje si pasojë e rrëshqitjeve të dheut. Të njëjtin fat kanë pësuar 5 ha tokë të mbjellur me ullinj, si dhe vreshta, të cilët janë dëmtuar. Krahas këtyre ka dhe bllokim rrugësh në të gjitha rrugët e komunës.
Rrëshqitjet e dheut kanë vijuar edhe dje në fshatin Gjegjan duke e çuar në 32 numrin e banesave të dëmtuara në të gjithë këtë komunë.
Ndërsa në fshatin Gjorgos të komunës së Cakranit, sipas kryetarit Vladimir Korçari, katër shtëpi janë dëmtuar bashkë me 5 ha tokë. Një shtëpi ka dalë jashtë përdorimit në fshatin Kreshman dhe tre të tjera në Cakran.
Të gjitha këto janë emergjencë në këtë komunë. Problem mbetet gërryerja e tokës nga lumi Vjosë në tokat e Varibopit, ndërsa shumë kanale kulluese për shkak të bllokimit të tyre kanë shkaktuar përmbytje të mëdha.
Spas Korçarit, duhet një ndërhyrje urgjente për këto raste për shkak se problemet janë të pamundura të përballohen me fondet e komunës. Shqetësime të kësaj natyre kanë ngritur edhe kryetarët e komunave Ruzhdije, Qendër Mallakastër etj.
*****************************
Shirat dhe dëbora, ura të shembura e rrugë të bllokuara në Gramsh e Librazhd
ELBASAN - Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe dëborës kanë krijuar shumë probleme në fshatrat e thellë të Librazhdit dhe Gramshit në qarkun e Elbasanit.
Sipas burimeve zyrtare të policisë në bashkëpunim me emergjencat mësohet se janë të pakalueshme segmentet Rrajcë-Skënderbegas, Stëblevë-Peshkopi, Polis-Gurë-Shpatë për të cilat po punohet për largimin e sasisë së madhe të dëborës.
Ndërkohë, Gramshi i përfshirë nga shirat ka probleme me disa ura të shembura dhe segmente të bllokuara nga rrëshqitjet e balta. Kështu, rruga rurale Gramsh-Korçë nuk funksionon në pjesën e Korçës, Gramsh-Poroçan nuk funksionon për shkak të shembjes së urës mbi Holtë dhe Gramsh-Kukër nuk mund të shkohet deri në qendër të komunës për shkak të shembjes së një tjetër ure.
Ndërkohë, segmenti për në Tunjë është pjesërisht i bllokuar për shkak të baltës në fshatin Llalë. Mësohet se vazhdon të jetë ende e përfshirë nga uji i lumit Devoll rruga nacionale drejt Gramshit.
Për shkak të shkarkimit të paktë nga porta e digës së vjetër, ky segment vazhdon të jetë i pushtuar nga uji, ndërsa mjetet detyrohen të shkojnë nëpërmjet rrugës së vjetër më të gjatë dhe të amortizuar.
*************************
Çarja e argjinaturës së lumit Devoll ka krijuar probleme në dyfishimin e përmbytjeve në fushën e Maliqit
Korçë, 2500 ha nën ujë, prefekti: Situata më e keqe në 30 vjet
KORÇË- Çarja e argjinaturës së lumit Devoll në zonën e Sheqerasit ka çuar në avancimin e mëtejshëm të përmbytjeve në fushën e Maliqit. Dalja e lumit nga shtrati në zonën me argjinaturë të dëmtuar dhe ngushtimi me pesë metra i shtratit ka bërë që disa hektarë në zonën e Sheqerasit të përmbyten duke iu shtuar kështu mijëra hektarëve që ndodhen aktualisht nën ujë në krejt fushën dhe që prek disa komuna dhe dhjetëra fshatra.
Sipas Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Korçës, lumi është fryrë me një metër më shumë nga prurjet e fundit dhe vetëm pas thellimit dhe hapjes me ekskavatorë dhe faktit se gjatë së dielës nuk ka pasur reshje të shumta, është bërë e mundur ulja e nivelit të ujërave të këtij lumi në këtë pjesë të fshatit Sheqeras. Gjatë javës së fundit, sipërfaqet e përmbytura në fushën e Maliqit janë dyfishuar duke prekur të paktën 2500 ha toka bujqësore.
Një ekip i prefekturës së Korçës dhe Shtabit të Emergjencave civile, Bordi i Kullimit dhe Drejtoria e Bujqësisë kanë inspektuar nga afër situatën në lumin Devoll, ku është bërë ulja me më shumë se një metër e nivelit të ujit pas reshjeve të fundit dhe shkrirjes së dëborës.
Sipas prefektit Andrea Mano, situata në këtë zonë është nën kontroll përsa i përket prurjeve të lumit Devoll dhe moslejimit të depërtimit të mëtejshëm të ujërave në toka. Mano ka pohuar se nën ujë ndodhen disa hektarë dhe pritet të çelet një fond i posaçëm për të bërë sa më shpejt kullimin e këtyre sipërfaqeve.
"Situata është nën kontroll të plotë. Ne kemi pasur një problem me çarjen e argjinaturës së lumit Devoll në një pjesë të saj. Kjo çarje ka provokuar përmbytjen e disa hektarëve. Një tjetër problem qëndron edhe në faktin se kemi të bëjmë me një zonë torfike dhe nga djegia e tokës niveli i saj bie vazhdimisht duke qenë nën nivelin e ujërave nëntokësore.
Megjithatë, në 30 vitet e fundit, nuk ka pasur një situatë të tillë kaq të rënduar dhe po marrim masa për përballimin e saj. Do të kryhen punime për uljen e nivelit të shtratit të lumit që të mos krijohen më tej probleme në këtë zonë.
Me përmirësimin e kushteve të motit do të ketë një ndërhyrje të menjëhershme dhe do të ndjekim hap pas hapi vijimësinë dhe dinamikën e situatës. Me lëvrimin e fondit besoj se do të zgjidhim përfundimisht problemin e kullimit të këtyre sipërfaqeve", theksoi prefekti Mano.
Prej më shumë se një jave, sipërfaqet e tokave bujqësore të përmbytyra kanë prekur disa komuna në rrethin e Korçës. Tokat bujqësore janë pushtuar nga uji ndërsa me përmbytjet fillestare fermerët e zonës vunë alarmin për situatën emergjente nga dëmtimet në toka dhe të mbjellat e stinës.
Sasia e ujit mbi sipërfaqet e zonës së fushës së Maliqit kanë sjellë edhe dëme të pallogaritshme për bujqësinë, por fatmirësisht përmbytjet nuk kanë prekur banesat. Sipas të dhënave nga komunat deri më tani janë 2500 hektarë sipërfaqe të prekura nga përmbytjet me një shtrirje në zonat e Sheqerasit, Maliqit, Drithasit, Libonikut, Vreshtasit, Podgories, Koritës dhe Sovjanit.
Situata është përkeqësuar më tej nga shkrirja e dëborës, ndërsa kanalet dytësore janë të gjitha të bllokuara duke mos lejuar kullimin e këtyre tokave. Pjesa kryesore e këtyre tokave nën ujë janë të mbjella me kultura buqësore, që shkaktojnë një shkatërrim të ekonomisë së brishtë të fermerëve. Ndërkaq, ish-këneta e Maliqit po kërcënon me rikthimin e saj tashmë shkatërrimtar.
**********************
Shtimi i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës rrit problemet në fshatrat e zonës së Nënshkodrës
Shkodër, rritet niveli i ujit, Drini u afrohet shtëpive
SHKODËR - Shtimi i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës është shoqëruar dhe me rritje të nivelit të ujit në lumenjtë Drin e Bunë, si dhe në fshatrat e zonës së Nënshkodrës. Në rrugën e fshatit Obot sasia e ujit e pranishme në disa pjesë të saj është rreth 50 cm, duke e bërë të pamundur kalimin me mjete të vogla.
Ky fshat është i rrethuar tashmë nga uji, i cili i është afruar banesave, por akoma nuk ka shkuar tek ato. Banorët ndjekin me shqetësim rritjen e nivelit të ujit në rrugën që lidh fshatin e tyre me pjesën tjetër të komunës dhe shprehen se deri tani askush nuk u ka ardhur në fshat për t'i pyetur për situatën apo për t'iu ofruar ndihmë.
Zef Marini, banor i Obotit, tregon se me karrocë ka mundur të dalë nga fshati për të blerë ushqime, pasi nuk i dihet situatës. "Nuk kemi hallin tonë, por bagëtitë. Kryeministri ka thënë se do na vijë në ndihmë, por këto dy ditë askush nuk ka ardhur.
Ushqimi për bagëtinë ka mbaruar nga uji që na mbuloi deri rreth 2 metër para 1 muaji e gjysmë, tani edhe atë që e kemi blerë rrezikon ta gjejë i njëjti fat".
Ndërsa Zef Franaj shton se i ka dërguar bagëtitë në Oblikë, pasi nuk po i dihet ujit që vjen duke u shtuar. "Thuhet se po bëhen pak shkarkime, se situata nuk do të jetë si në janar, po ku i dihet.
Këtu askush nuk ka ardhë nga shteti me na tregu si janë punët. Ne po marrim masa aq sa mundemi", thotë Franaj.
Ndërsa uji është afruar pranë banesave të Obotit, mësohet se janë 750 ha tokë që janë rivënë përsëri nën ujë.
Shkarkimet nga hidrocentralet kanë rritur fuqinë erozive të lumit Drin, i cili brenda një jave ka rrëmbyer me dhjetëra dynym tokë në këtë fshat dhe këtu ka ndikuar dhe dëmtimi i argjinaturës mbrojtëse në këtë zonë.
Një situatë e tillë u paralajmerua edhe nga ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, pak ditë më parë gjatë një inspektimi të bërë në fshatrat e komunës Bushat. Banorët që kanë shtëpitë e tyre fare pranë lumit shprehen të shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen dhe, sipas tyre, nëse do vazhdojë me këtë ritëm, nuk do t'u kursejë banesat e ndërtuara prej shumë vitesh.
Prita provizore e ndërtuar një ditë më parë nga ushtria mësohet se nuk i ka rezistuar rrjedhës së lumit dhe pjesët e betonit në pjesën më të madhe të gjatësisë prej rreth 20 metrash nuk duken më, sepse i ka marrë ose mbuluar rrjedha e lumit Drin, duke iu afruar banesave, ku distanca më e afërt mes shtratit të zgjeruar të lumit dhe banesës së parë afër tij është vetëm 12 m.
"Ajo që mund të bëjë shteti tani është që, ose të na shpërngulë duke na vendosur diku tjetër, ose të bëjë një pritë të qëndrueshme që të pengojë vërshimin e ujit.
Drini është lumë i egër dhe nuk mund ta komandosh, por i duhet ndalur hovi dhe ne të shpëtojmë ose të mbarojmë se këtu kemi tokë, shtëpi dhe gjithçka tjetër", shprehen banorë të Ashtës.
Pashko Gjeçi shprehet se "që nga dita e djeshme uji ka përparuar me 2 metër pranë shtëpive në këtë lagje dhe situata është më e rëndë se një ditë më parë. Uji nuk është ngritur si nivel, por këtu problem është gërryerja e tokës, dhe jo niveli i ujit. Ajo rrezikon shtëpitë".
Erozioni i lumit Drin pranë fshatit Ashtë, sipas specialistëve, argumentohet me ndryshimin e forcës gërryese të këtij lumi nga fshati Ganjollë të komunës Gur i Zi, ku është forcuar argjinatura në anën tjetër të shtratit të lumit.
Në fshatin Dajç uji i derdhur nga portat e hidrocentralit ka bllokuar rrugën që lidh fshatin Shirq me atë të Darragjatit, ku sasia e ujit sipas banorëve ka shkuar rreth 60 cm.
Nush Nika, banor i Shirqit shprehet se "ka dy ditë që uji ka ardhë përsëri dhe duhen marrë masa pasi dihet se argjinatura në këtë zonë është e dobët. Janë sjellë thasë, shpresojmë të mos jetë si në janar dhe shteti të marrë masa. Për 24 orë uji ka shkuar 60 centimetra".