Arbëri-Sefarad në Arkivat e Aragonës
"Arbëria-Sefaradi: në pasqyrën e njëri-tjetrit". Një vëllim në dy gjuhë, për lidhjet e Skënderbeut me Alfonsin V të Aragonës, letrat që datojnë prej vitit 1447, marrëveshjet e nënshkruara, si dhe përvojat paralele të sefardive dhe arbëreshëve
Prezantohet në dy gjuhë, shqip dhe spanjisht, libri "Arbëria-Sefaradi: në pasqyrën e njëri-tjetrit", një përmbledhje studimore e një grupi studiuesish shqiptarë dhe spanjollë.
Për pjesën e parë të librit, ku trajtohen marrëdhëniet mes prijësit shqiptar, Skënderbeut dhe Kurorës së Aragonës kanë shkruar: Nëndrejtori i Arkivës së Kurorës së Aragonit Alberto Torra Pérez dhe ish Ambasadorja e Shqipërisë në Spanjë, Anila Bitri Lani.
Në pjesën e dytë, që i takon "Eksperiencave Paralele të Sefardive dhe të Arbëreshëve" kanë kontribuar me studimet e tyre: Kërkuesja shkencore e Këshillit Superior të Kërkimeve Shkencore Maria Angeles Callego, Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kalabrisë Anton Namik Berisha dhe Eva Hyskaj, profesore e Fakultetit të Historisë në Universitetin e Tiranës. Libri hapet me shkrimin e ambasadorit spanjoll në Shqipëri Manuel Montobbio.
Në Arkivin i Kurorës së Aragonës (Barcelonë), dokumente të vitit 1447, dëshmojnë për Marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Alfonsit V të Aragonës (i pari i Napolit), i quajtur ndryshe Zemërgjeri. Këtë fakt e përmend edhe spanjolli Alberto Peréz tek "Kujtesa e Skënderbeut në Arkivin e Kurorës së Aragonës", ku thuhet:
"Kontaktet e para të dokumentuara i kemi në dhjetor të 1447: bëhet fjalë për përgjigjen nga Alfonsi V e një letre të dërguar nga Skënderbeu nëpërmjet një ambasade.
Mbreti i drejtohet me "illustri et potenti viro Georgio Castrioto alias Squenderbech, domino Croie provinciarumque Albanie" dhe e përgëzon për luftën e tij kundër turqve të pafe, por shfajësohet që nuk mund t'i japë ndihmën ushtarake që kërkonte. Megjithatë i siguron mbrojtje në Itali për familjen e tij në rast se dëshmon në luftën me turqit".
Fakte të tjera që flasin për marrëdhënien e Skënderbeut dhe Alfonsit V janë marrëveshjet e ndryshme ku ky i fundit i garanton Skënderbeut ndihmë ushtarake dhe në ushqime.
Temën e ka zhvilluar më tej edhe ish ambasadorja e Shqipërisë në Spanjë, Anila Bitri Lani, që në takimin e djeshëm në Muzeun Kombëtar, pohoi që "studimi më ka bërë të njoh më nga afër botën iberike".
Pjesa e dytë e librit i kushtohet Hebrejve të Sefaradit (me këtë emër hebrejtë i referoheshin Gadishullit Iberik) dhe fanatizmit që kanë treguar në ruajtjen e alfabetit dhe të një gjuhe të ndryshme që përdornin mes tyre, dhe "vetëdijes së bashkësisë e krijuar nëpërmjet lidhjes fetare".
Për luftën gjuhësore që populli hebre ka bërë në Spanjë, Maria Angeles Gallego tregon:
"Pesha specifike e gjuhës hebraike si gjuhë e shenjtë, ndjehet në mënyra të ndryshme: nga njëra anë, ruajti si një të drejtë të sajën ekskluzive disa regjistra të jetës fetare si liturgjia.
Nga ana tjetër, la ndikimin e vet në përdorimin e gjuhëve të tjera nga hebrejtë, që përdorën alfabetin hebraik për të shkruar si në arabisht ashtu edhe në romance për shkrime të konsumit të brendshëm, përfshirë fjalorët dhe madje disa struktura gramatikore të gjuhës hebraike."
Kurse profesorja Eva Hyskaj flet për ngjashmëri mes Sefardive dhe Arbëreshëve, për luftën që kanë bërë të dyja palët për mbrojtjen e gjuhës. "Sefaradët përdorën dialektin latin, një dialekt që kishte fjalë spanjolle të përzier me hebraishten dhe kjo i shërbeu atyre për të ruajtur specifikën e komunitetit. Kurse arbëreshët përdorën gjuhën shqipe në liturgji dhe nuk u bënë katolikë."
Temën e zgjeron më tej, Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Kalabri, Antón Nikë Berisha tek "Rëndësia e Letërsisë Arbëreshe për Ruajtjen dhe Pasurimin e Botës dhe e Shpirtit Arbëresh".
Ai shënon se letërsia arbëreshe është shprehje e botës, e mendësisë dhe e fatit të arbëreshëve; në të gjetën jehonë, po njëherit edhe përjetësim artistik me një nivel të lartë, dukuri të shumta, që i përcollën ata në rrjedhë të gjallimit për pesë shekuj, ç'prej kohës kur u shpërngulën nga atdheu dhe u vendosën në Itali.
Berisha i njeh vlera letërsisë arbëreshe edhe për rolin që ka në mbijetesën e gjuhës dhe të vetë arbëreshëve po edhe për pasurinë poetike që ajo mbart.
"Natyrisht punën që bëri dhe rolin që luajti arti arbëresh e ndihmuan dhe e plotësuan edhe format dhe veprimet e tjera të shumta që arbëreshët bënë gjatë gjallimit nëpër kohë, riti fetar bizantin, pastaj shoqatat, revistat, publikimet, por edhe format e tilla siç ishin kongreset e gjuhës arbëreshe të organizuara nga De Rada në bashkëpunim me arbëreshët e tjerë".
Në takimin e djeshëm në Muzeun Historik Kombëtar, në promovimin e librit, Sabri Godo, duke vënë theksin tek vlerat e vërteta të studimit të Berishës, e hodhi fjalën edhe tek indiferenca e politikës shqiptare ndaj arbëreshëve. "Një neglizhencë kriminale", e quajti Godo. "Kurrë nuk kam parë një politikan që të ngrejë zërin për një çështje të tillë", theksoi ai.
Në takim, veç dy autoreve pjesëmarrëse, Lani dhe Hyskaj, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, Ministri i Jashtëm Ilir Meta, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Fedinand Xhaferri dhe drejtori i Muzeut Kombëtar Luan Malltezi.