E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A1, rregullat për Provimet me zgjedhje

17/02/2012  Për provimet mund të caktohen deri në 3 lëndë. Ndërmjet tyre lejohen edhe dy gjuhë të huaja, ja kushtet për kreditet

Maturantët e 2012-ës, si të plotësoni formularin pa u penalizuar

Zbardhet përmbajtja e formularëve A-1 dhe A-1Z, nëpërmjet të cilëve maturantët do të hyjnë në garën e pranimeve për shkollat e larta. Ministria e Arsimit ka publikuar gjatë ditës së djeshme dy formularët së bashku me udhëzimet e plotësimit që maturantët duhet të zbatojnë për të mos rrezikuar të drejtën për të vijuar studimet e larta publike. Konkretisht, formulari A-1 do të plotësohet nga të gjithë maturantët që mbarojnë shkollën e mesme gjatë këtij vitit. Sipas afateve të përcaktuara, shpërndarja, plotësimi e dorëzimi i formularit A-1 fillon më 20 shkurt 2012 dhe përfundon më 10 mars 2012. Në rast të plotësimit gabim të formularit, maturantët kanë të drejtë ta zëvendësojnë atë me një tjetër formular të plotësuar saktë, por me kushtin e vetëm që ta dorëzojnë brenda afatit të përcaktuar.

Rregullat si duhen zgjedhur lëndët

Krahas plotësimit të saktë të gjeneraliteteve dhe të dhënave identifikuese të pjesës së parë të formularit, maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm në zgjedhjen e dy apo tri lëndëve që duan ti japin si provime me zgjedhje të maturës 2012. Sipas rregullit të vendosur, maturanti mund të qarkojë nga lista e 38 lëndëve të detajuara në formular dy ose tri lëndë që do të japë si provime me zgjedhje, duke plotësuar kushtin që numri minimal i krediteve që lëndët duhet të kenë të mos jetë më i vogël se tetë. Gjithashtu maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që të konsultohen e të njihen mirë me programet e secilës lëndë si dhe me koeficientet përkatës, para se të bëjnë plotësimin e formularit në mënyrë që të bëjnë përzgjedhjen e lëndëve që të mund të sigurojnë prag sa më të lartë pikësh për të mos rrezikuar mbarimin me sukses të shkollës së mesme dhe konkurrimin më pas për pranimet në shkollat e larta publike. Ndryshe nga sa ka ndodhur në maturat e shkuara, këtë vit maturant nga lista e 38 lëndëve do të mund të zgjedhin si provime edhe dy lëndë që u përkasin gjuhëve të huaja. “Çdo maturant/kandidat mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja nga listat e mësipërme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë (10 kredite), ndërsa tjetra si gjuhë e huaj e dytë (6 kredite). Çdo maturant/kandidat ka të drejtë të zgjedhë nga lista e lëndëve të tabelës që përfshin kurrikulën me zgjedhje një apo më shumë lëndë, pavarësisht nëse i ka zgjedhur ose jo, i janë ofruar ose jo nga shkolla gjatë viteve të studimit në shkollën e mesme”, - specifikohet në udhëzimin e provimeve të maturës 2012. Më tej sqarohet se lënda "Trashëgimi kulturore" përmban trashëgiminë kulturore shqiptare (2 kredite) dhe trashëgiminë kulturore evropiane (2 kredite). Maturantet/kandidatet që do të përzgjedhin lëndën "Trashëgimi kulturore" do të testohen duke e trajtuar atë lëndë si një e terë, me 4 kredite. Lënda "Histori e thelluar" përmban histori të qytetërimit botëror (2 kredite) dhe histori të qytetërimit shqiptar (2 kredite). Po ashtu kandidatët që do të përzgjedhin lëndën "Histori e thelluar" do të testohen duke e trajtuar atë lëndë si një e tërë, me 4 kredite. Ndërsa maturantet e shkollave profesionale kanë të drejtë të zgjedhin lëndën "Teori profesionale" si një ndër lëndët me zgjedhje.

Para se të plotësoni formularët duhet të dini:

Ekspertët hartues të maturës pohojnë se plotësimi i formularit duhet të bëhet pasi të kenë marrë informacionet e duhura për 38 lëndët që do të jepen në provimet me zgjedhje. Më pas do të qarkojnë vetëm dy ose tri prej tyre. Sipas burimeve në MASH, më shumë probabilitet për të shpallur fitues në universitete do të kenë maturantët që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë që janë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme që kanë mbaruar. Kjo pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final vlera e koeficienteve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme.

Pranimet në universitetet, kush duhet të plotësojë A1Z, kreditet e kushtet që kërkohen

Maturantët e vjetër, rregullat

për të rihyrë në garë

Pranvera Kola

Kandidatët që e kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2012 e që kanë dhënë më parë provime të maturës, do tu përmbahen rregullave të tjera për të rihyrë në garën e pranimeve për shkollat e larta publike gjatë vitit të ardhshëm akademik. Kjo kategori si dhe maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit duhet të plotësojnë detyrimisht formularin A-1Z për të rihyrë sërish në garë. Formulari konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe kandidati humbet të drejtën e regjistrimit. Shpërndarja, plotësimi dhe dorëzimi i formularit A-1Z fillon më 20 shkurt 2012 dhe përfundon më 10 mars. Pika 14 e udhëzuesit detajon se maturanti apo kandidati nuk lejohet të rijapë provimet me zgjedhje të detyruar nëse ka rezultuar kalues në maturat e viteve të mëparshme, me përjashtim të rastit kur rezultatet e tij në lëndë të caktuara janë nën 4.50. Në rast se ky maturant e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i fundit. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë merren koeficientet e vitit shkollor 2011-2012. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni në listën e lëndëve me zgjedhje mund të jetë edhe gjuhë e huaj e dytë, por e ndryshme nga ajo që do të mbartni. Ndërsa në rastet kur në maturat e mëparshme nuk kanë dhënë asnjë lëndë si provime me zgjedhje, atëherë nga lista e 38 lëndëve duhet të përcaktojnë dy ose tri lëndët që do të japin si provime në qershor. Në udhëzimin e provimeve për këtë kategori specifikohet se ata që e kanë mbaruar maturën para vitit 2012 e që kanë dhënë provime me zgjedhje, ku janë vlerësuar me notë më të madhe se 4.50, mund ti mbartin ato me kusht që kreditet e secilës prej tyre do të llogariten sipas listës së lëndëve të detajuara në formularin bashkëngjitur shkrimit. “Në qoftë se numri i krediteve të lëndëve të dhëna rezulton më i vogël se 8, atëherë kandidatët janë të detyruar të japin edhe një lëndë tjetër me zgjedhje për të plotësuar kriterin e përcaktuar në këtë udhëzim. Kur kandidati ka fituar vetëm njërin nga provimet me zgjedhje, ai mund ta mbartë atë dhe të japë aq provime të tjera sa të plotësojë kredite e kërkuara”, - thuhet në udhëzim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›