E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importi, Greqia bllokon linjën e energjisë

17/02/2012   Prej ditës së djeshme vendi fqinj ka mbyllur linjën e interkoneksionit me vendin tonë

Sigurimi i energjisë po bëhet vetëm nga dy linjat e veriut me Malin e Zi dhe Serbinë

Tashmë përveç problemeve për sigurimin e parave të nevojshme për blerjen e energjisë Shqipëria po përballet edhe me problemin e mungesës së linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje. Vetëm pak ditë më parë vendet eksportuese të energjisë në Ballkan deklaruan se do të bllokojnë importin për shkak të nevojave të tyre, ndërkohë që nga dita e djeshme Greqia ka mbyllur linjën e interkonjeksionit me Shqipërinë. Një masë e tillë nga vendi fqinj ka ardhur për shkak të emergjencës energjetike, një masë që ndalon importin dhe eksportin e energjisë jashtë kufijve të vendit. Për Shqipërinë kjo do të thotë se, po importohet vetëm nga dy linjat e tjera të interkonjeksionit në veri, kryesisht me Serbinë dhe Malin e Zi. Drejtoresha për blerjen e energjisë pranë kompanisë “CEZ Shpërndarje”, Xhulieta Kërtusha, deklaroi dje, edhe pse kjo gjendje ka sjellë vështirësi, kompania ka marrë të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve. Mbyllja e rrjeteve të transmetimit e bën gati të pamundur që Shqipëria të marrë energji nga jashtë edhe me çmime të larta. Në janar, KESH-i mundi të blejë vetëm 40 për qind të energjisë që kërkonte nga importi. Shqipëria importon për momentin rreth 12 milionë kilovat orë në ditë, pjesa me madhe, e kontraktuar nga CEZ. Por të dy kompanitë, si CEZ ashtu dhe KESH, kanë kontrata që garantojnë importin deri në fundit të muajit. Nëse reshjet e dëborës zgjatin dhe tregu mbetet i mbyllur, atëherë Shqipëria mund të përballet me ndërprerje energjie. Lidhur me këtë fakt, Kërtusha theksoi gjithashtu se, “CEZ Shpërndarje” po importon në ditë 9.6 milionë kilovatorë për të plotësuar nevojat e vendit me një çmim mesatar prej 7 eurosh për kilovatorë. Ky nivel i lartë importi bëhet gjithashtu për të mbuluar humbjet në rrjet që ka kompania dhe për të kompensuar atë pjesë të energjisë që korporata shtetërore nuk mund të mbulojë aktualisht për shkak të vështirësive financiare. Kriza energjetike që po kalon rajoni, ka bërë që kompanitë private të tregtimit të energjisë, me çmime dy herë më të larta nga shitja që kryejnë ndaj kompanive furnizuese. Deri në fund të muajit shkurt, kompania CEZ do të importojë një total prej 390 mijë megavatorë energji. Gjatë muajit janar energjia është blerë me 62.4 euro për megavat, ndërsa në shkurt me 70 euro. Edhe për muajin mars, në rast se thatësira dhe situata e vështirë energjetike do të vazhdojë, “CEZ Shpërndarje” ka marrë masat për të importuar të njëjtën sasi me atë të muajit shkurt, ose e thënë ndyshe, rreth 10 milionë kilovatorë në ditë. Aktualisht niveli në liqenin e Fierzës është 258.31 metra dhe prurjet janë në nivele minimale prej 50 metër kub në sekondë. Më e rëndë paraqitet situata në dy hec-et e tjera të Drinit që janë në varësi të ujërave të Fierzës.

Borxhi

Sipas drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, mësohet se javën që vjen pritet që CEZ t’i shlyejë KESH-it një borxh prej 4 miliardë lekë. Megjithatë, marrëveshja nuk është bërë ende zyrtare dhe pritet që të zbardhet gjatë ditëve në vijim. Kjo ndihmë financiare pritet të ndihmojë financiarisht korporatën, ndërsa qeveria i ka dhënë një fond prej 2 miliardë lekë, me qëllim blerjen e energjisë për të mos pasur kufizime.

Importi

Vetëm dy ditë më parë drejtori i përgjithshëm i korporatës, Engjëll Zeqo, deklaroi se KESH do të rrisë importin e energjisë, me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike në kaskadën e lumit Drin dhe garantimin e furnizimit me energji. Aktualisht, KESH ka nisur kontaktet me vendet e rajonit për sigurimin e kontratave të importit, pasi për shkak të ngricave, prurjet e ujit në kaskadë kanë rënë ndjeshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›