E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2, këshilla për plotësimin korrekt

Maturantët tashmë i kanë të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore në duar, ata janë në pritje vetëm të nisjes së plotësimit online të Formularit A2, i cili starton ditën e hënë më 29 korrik. Ndriçim Mehmeti, shefi i Monitorimit dhe Vlerësimit të Cilësisë në Ministrinë e Arsimit, thotë se për të patur sukses maturantët duhet të bëjnë një renditje të saktë të degëve që ata preferojnë. Sipas Mehmetit, maturantët që do t'u nënshtrohen edhe konkurseve të pranimit duhet që atë preferencë ta vënë të parën. "Nuk është e detyrueshme të plotësohen të 10 preferencat, por duhet bërë kujdes në përzgjedhjen dhe renditjen e tyre. Nëse një maturant preferon vetëm juridikun ai ka mundësi të përzgjedhë juridikun në Tiranë, në Durrës, Shkodër dhe Vlorë dhe shumë mirë të mos shënojë preferenca të tjera. Ndërsa kush do tu nënshtrohet konkurseve duhet patjetër që ato degë ti shënojë në preferencën e parë",-sqaroi Ndriçim Mehmeti. Për tu ardhur në ndihmë mbi 45 mijë maturantëve 'Gazeta' publikon pikët e fundit të fituesve në çdo degë për katër vitet e fundit të Maturës Shtetërore, 2009-2012. Në mënyrë që maturantët të krijojnë një ide se ku mund të arrijnë ata duke bërë përllogaritjen e pikëve të tyre.
Preferencat
Ministria e Arsimit ka publikuar Formularin A2, ku çdo maturant do të mund të përzgjedhë 10 preferencat për të ndjekur shkollën e lartë, ndërkohë që në dispozicion kanë 334 programe studimi. Duke qenë se këtë vit lëndët më të preferuara që ata kanë dhënë provim me zgjedhje janë Qytetari, Anglisht gjuhë e parë, Histori e Thelluar dhe më pas renditet Biologji e Thelluar dhe Ekonomi, më poshtë ka disa sqarime se kush janë degët që ata mund të fitojnë duke qenë se kanë bërë këto preferenca. Maturantët, të cilat kanë përzgjedhur degën e Qytetarisë kanë më shumë mundësi të fitojnë në degët shoqërore, dhe sidomos në Fakultetet e Shkencave Shoqërore. Koeficienti për Qytetarinë varion nga 1 në 1.3, koeficienti më i lartë është në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe në ato të rretheve. Ndërsa gjuha angleze si gjuhë e parë ka koeficient të lartë në çdo degë, pasi vlerësohet me 1.3, pra çdo maturant nëse ka përzgjedhur këtë lëndë në çdo universitet publik ka shanse të njëjta. Ndërsa nëse është për-zgjedhur si degë preferenciale Historia e Thelluar, maturantët kanë shumë shanse për të fituar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, por edhe në universitetet e rretheve që ofrojnë këtë degë. Ndërkohë që, nëse është përzgjedhur, Biologjia, Fizika, Kimia apo Ekonomia, maturantëve u rriten shanset për të fituar degë në Universitetin Politeknik apo në Universitetin e Mjekësisë si dhe në Fakultetin e Ekonomisë në UT, por edhe në universitet e rretheve.
Plotësimi i A2
Pasi secili prej maturantëve të jetë konsultuar, se cilat janë mundësitë për të fituar në degët përkatëse, atëherë ai do mund të plotësojë saktë Formularin A2. Sipas specialistëve të arsimit, një maturant mund të arrijë nivelin e fituesit në disa programe studimi të përzgjedhura prej tij, por ai shpallet fitues në preferencën më të lartë. Pra nëse një kandidat është i sigurt se do të fitojë në Financë, por i pëlqen më shumë Juridiku, dhe mendon se nuk e arrin dot, duhet që preferencë më të lartë të vendos Juridikun dhe jo Financën, të cilën e arrin me ato pikë që ka grumbulluar nga matura. Ndër degët e përzgjedhura, maturantët duhet të zgjedhin 10, ku kanë më shumë shanse për të hyrë, përfshi këtu edhe një ose dy preferenca, ku ndonëse nuk kanë mjaftueshëm pikë, janë më të preferuarat e tyre. Specialistët sugjerojnë që ndarja e dhjetë degëve të jetë: 2 degë të preferuara, pavarësisht sa e mundshme është hyrja; 6 degë të cilat janë gjithashtu të preferuara, por që janë njëkohësisht edhe të mundshme për të hyrë në universitet, në bazë të pikëve të grumbulluara dhe në fund, 2 degë, të cilat kanë pak pikë, me qëllimin e vetëm pranimin në universitet.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›