E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2, pas rezultateve të testimit në Matematikë dhe Letërsi

Formulari A2 do të fillojë të shpërndahet për maturantët kandidatë për në universitete vetëm pas daljes së rezultateve të dy provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, atij të Matematikës dhe të Gjuhës e Letërsisë. Një lajm të tillë e konfirmon vetë drejtori i APRIAL-it, Frederik Shalësi. Ai ka sqaruar se përpara se të përgatitet Formulari A2, duhet të jenë të përcaktuara programet e studimit që ofrojnë universitetet publike për të rinjtë e këtij viti, si dhe kuotat e pranimit të tyre. Ndërkohë që të dyja këto miratohen me vendime të Këshillit të Ministrave.

Drejtori Shalësi shprehet se ka pasur propozime të ndryshme nga universitetet për të shtuar ose hequr disa programe studimi, ndaj dhe për këtë duhet të merret një vendim. Ai sqaron se dy vjet më parë, numri i programeve të studimit të vendosura në Formularin A2 ka qenë 196, ndërsa vjet, ky numër u rrit duke shkuar deri në 207 programe studimi. Për këtë vit, ky numër mbetet për t‘u saktësuar.

Po kështu, edhe kuotat për çdo degë janë të rëndësishme për secilin nga maturantët kandidatë, në mënyrë që të përllogarisë aftësitë e tij dhe mundësitë se ku mund të shpallet fitues.

Nga ana tjetër, me një logjikë prej matematikani, Shalësi shprehet se është më mirë për një maturant që të ketë sa më shumë elementë në dorë, ndërsa plotëson dhjetë preferencat e tij në Formularin A2. Sipas Shalësit, në momentin që një maturant di notën e tij mesatare, si dhe dy notat e provimeve të detyruara, Matematikës dhe Letërsisë, ai ka tri të dhëna dhe e ka më të thjeshtë që të orientohet dhe të bëjë llogaritë për degët e studimit që do të shënojë në formular.

Duke u mbështetur edhe në eksperiencën e viteve të mëparshme, mendohet se nga datat 28-29 qershor të përfundojë vlerësimi dhe dalja e rezultateve të dy provimeve të detyruara, ndaj dhe Formulari A2 mund t‘i shpërndahet të rinjve që nga data 20 qershor, në mënyrë që ata të kenë kohë të mendohen dhe të bëjnë llogaritë deri më 12 korrik.

Dhe më shumë se sa afatet, në këtë proces, duket se ka më tepër rëndësi zgjedhja e mençur e maturantëve, në mënyrë që të shpallen fitues në një nga dhjetë degët e studimit që do të përzgjedhin përmes Formularit A2.

Ndërsa në rregulloren e Maturës Shtetërore 2009, në nenin 21 thuhet se "MASH miraton deri më datë 1 prill: Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë); Udhëzuesin e formularit A2. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2, brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›