E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shakaja e 1 prillit çon në serum 20 gjimnazistë

Marrëzi kolektive, gjumë në klasë... dhe e kanë parë veten në spital. Kjo ka qenë shakaja më e rrezikshme e 1 prillit në Sarandë. Protagonistë të saj u bënë paraditen e së mërkurës 20 nxënës të klasës së dytë të shkollës së mesme jopublike "Dea" në qytet. Për të "gënjyer" mësuesit e tyre, ata vendosën të punojnë një rreng, duke marrë në farmacinë më të afërt të qytetit 60 tableta Diazepam, që është një lloj valiumi, por me fuqi vepruese më të lartë. Në atmosferën e shakave të "ditës së gënjeshtrave", vajzat ishin të parat që gëlltitën tabletat e para e pas tyre edhe djemtë, që u bënë anormalë dhe dolën nga vetja pas momenteve të para të kapërdimit të tabletave gjumëndjellëse. Nxënësit e përfshirë në "lojën e gënjeshtrave", fillimisht kanë marrë si me komandë nga një kokërr Diazepam. Ora e parë e mësimit kaloi pa ndonjë shqetësim të dallueshëm, pasi tabletat ende nuk kishin nisur të vepronin. Duke e marrë veten për "të fortë", disa provuan të marrin edhe kokrrën e dytë e të tjerë edhe të tretën. Në kohën kur do të niste ora e tretë e mësimit, medikamenti e bëri efektin dhe e gjithë klasa flinte për shtatë palë qejfe. Mësuesja e lëndës ka mbetur e shtangur në një klasë, ku thuajse të gjitha vajzat dhe djemtë kishin ulur kokat dhe po bënin gjumin e stimuluar. Ajo i luste të ngriheshin në mësim, por askush nuk reagonte, jo më të përgjigjej.

Kjo ka krijuar një situatë nga qesharake në dramatike në klasë, që i ka vënë të gjithë mësuesit në alarm. Nxënësit e përgjumur janë transportuar për në spital, ku është marrë vesh e vërteta e shakasë së rrezikshme. Drejtori i spitalit, Arben Vogli, tha madje se të gjithë iu nënshtruan marrjes së serumit. Ndërsa mësohet se njëra prej nxënëseve të përfshira në aventurën e 1 Prillit, që mendohej se kishte marrë më shumë se tri tableta Diazepam, paraqiste vështirësi më serioze në frymëmarrje dhe për të ishte e domosdoshme marrja e oksigjenit. Vetëm pasi kanë kaluar 3-4 orë, gjendja e tyre u përmirësua


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›