E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy viktima në Fushë-Krujë dhe Elbasan

Dy vetëvrasje janë regjistruar gjatë 48 orëve të fundit. Agim Roda, 47 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Kastrioti" të Fushë-Krujës ka pirë fostoksinë. Me të konstatuar gjendjen e tij të rëndë, familjarët e kanë dërguar menjëherë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për t‘i dhënë ndihmë mjekësore. Por me gjithë përpjekjen për ta mbajtur në jetë, në orën 23:15, rreth pesë orë pas pirjes së helmit, Roda ka ndërruar jetë në spital. Kufoma është dërguar në morgun e spitalit për t‘iu nënshtruar autopsisë dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Viktima ishte baba i dy fëmijëve të mitur, ndërkohë që njihej si përdorues i pijeve alkoolike. Të njëjtën mënyrë vetëflijimi ka përdorur dhe 42-vjeçarja, Emine Muça nga Elbasani. Nëna e dy fëmijëve, prej pak kohësh kishte ardhur në Elbasan nga fshati Godolesh i Gramshit. Ajo ka pirë fostoksinë në shtëpinë e saj, në lagjen "5 Maji" të qytetit. Sipas burimeve policore, 42-vjeçarja, e gjetur nga të afërmit e saj, e shtrirë dhe në gjendje kome, është dërguar në spital, ku mjekët janë munduar ta shpëtojnë. Policia bën të ditur se gruaja prej kohësh vuante nga depresioni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›