E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2

Lavdosh Ferruni

Kush nuk e plotësoi, ja afatet e reja

Tri ditë në dispozicion për të vonuarit. Autoritetet do lejojnë vetëm ata që munguan për arsye madhore

Lorina Mixha  

Maturantët të cilët nuk kanë mundur të plotësojnë formularin A2, procedurë e domosdoshme për të fituar një të drejtë studimi do të kenë një shans të dytë. Pas mbylljes së afatit zyrtar për plotësimin e formularit, kandidatët për studentë që nuk e plotësuan atë për shkaqe madhore, do të kenë mundësi që në datën 8, 9 dhe 10 gusht të zbatojnë të gjithë procedurën e prapambetur. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Ndërkohë që jo të gjithë do të kenë mundësi të plotësojnë dokumentin. Sipas autoriteteve arsimore, kjo mundësi do ti jepet vetëm atyre të cilët për shkaqe madhore nuk arritën të mbyllnin plotësimin brenda afatit të përcaktuar dhe zyrtar.

Të gjithë maturantët e vonuar do të tregojnë shkakun e vonesës dhe në rast se komisionit do ti duket e vlefshme atëherë do ti pranojë ata të kryejnë plotësimin në tri datat e parashikuara.

Specialistët e Maturës Shtetërore po bëjnë përllogaritjet se sa është numri i maturantëve të prapambetur në proces, duke mos parashikuar këtu numrin e atyre që preferuan të regjistrohen në sistemin privat apo do të studiojnë jashtë vendit.

Dje, kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe drejtori i përgjithshëm i vlerësimit të Maturës Shtetërore kanë sqaruar për maturantët dhe prindërit e tyre vendimin e autoriteteve arsimore.

Kështu, sipas krerëve të arsimit, të gjithë ata maturantë që nuk mundën të plotësonin formularin A2, për tu pranuar si kandidatë në universitete, do të ketë edhe një mundësi të dytë.

Aktualisht po mblidhen të dhënat se sa të rinj nuk kanë mundur ta plotësojnë dokumentin, si dhe metodologjia që do të përdoret për këto tri data. Dje specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve deklaruan se këtë formular do ta plotësojnë ata që përmbushin disa kritere.

Ne mundësinë do tua japim atyre që për arsye të forta shëndetësore, udhëtim jashtë shtetit, fatkeqësi në familje, atyre u japim mundësi brenda kësaj jave. Presim të mbarojë procedura e informimit dhe pastaj mbi bazën e sasisë së maturantëve që do aplikojnë do përcaktojmë nëse do ti bëjnë në rrethin përkatës, hapim username në një shkollë përkatëse ku të aplikojnë këta 20 apo 30 veta”, tha Arben Fagu, specialisti i AKP-së.

Specialistët janë në fazën e përgatitjes dhe të procedurave se si do aplikojnë të rinjtë. Pas përfundimit të këtij procesi pritet që të fillojë përllogaritja e pikëve, dhe më pas shpallja e  kandidatëve fitues në universitete.

Për formularin A2, kush nuk ka arritur deri në 5 gusht për arsye të ndryshme si për shembull pjesëmarrje në aktivitete kombëtare apo ndërkombëtare ka qenë i sëmurë, apo rrethana të tjera të forta do ti sigurohet mundësia e aplikimit në një datë tjetër”, tha Alfons Harizaj, drejtor i përgjithshëm në vlerësimin e Maturës Shtetërore.

30 mijë

Është numri i maturantëve që janë regjistruar në rrjetin e të dhënave të Ministrisë së Arsimit, si plotësues të formularit A2 deri para dy ditësh

5 gusht

U parashikua në rregulloren e Ministrisë së Arsimit si afat i fundit për plotësimin e formularit A2. Dje u vendos për një mundësi të dytë

Formulari A2 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›