E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A4, nesër shpallen 900 fituesit e fundit

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Fituesit e formularit A4 pritet të shpallen ditën e hënë. Sipas rishpërndarjes së fundit nga MASH kanë mbetur mbi 900 kuota bosh në Universitetin e Tiranës dhe në ato të rretheve. Formulari A4 përmban të gjitha kuotat e paplotësuara, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara nga ai dhe duke u orientuar nga pikët e fituesit të fundit në atë program studimi në Fazën 3. Tashmë aplikimi dhe plotësimi i formularit A4 është mbyllur ndërkohë që APRIAL do të bëjë renditjen e fituesve të fundit për në universitet. Sipas udhëzimit të MASH kandidatët fitues përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), në bazë të dy parimeve: parimi i meritës, sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të “Maturës Shtetërore” dhe për disa programe studimi edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar në bazë të Udhëzimit Nr. 18, datë 07.07.2009 “Për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurrim, në disa programe studimi në ciklin e parë me kohë të plotë në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për vitin akademik 2009 - 2010”; si dhe parimi i vullnetit të kandidatëve i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre në formularin A4. APRIAL do të përpunojë të dhënat e marra nga Formulari A4 dhe në datën 30.11.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Më pas APRIAL do të dorëzojë, në datën 01.12.2009, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Këto institucione afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre.

Regjistrimi i fituesve

Regjistrimi i kandidatëve fitues, bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në datat: 2 deri 5 dhjetor 2009, nga ora 08.00, deri në orën 16.00. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme :

a) Dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit;
b) Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi;
c) 2 fotografi;
ç) Mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë.
Këta kandidatë të evidentohen edhe në lista të veçanta nga sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, të cilat të dërgohen në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Pas verifikimit të bërë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, të bëhet regjistrimi përfundimtar nga sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.

1. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit të kandidatëve fitues, sekretaritë mësimore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë të regjistrojnë studentët në regjistrin bazë të studentëve, në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nr. 19, datë 18.07.2007 “Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit”.
2. Sekretaria mësimore të pajisë kandidatin me fletë regjistrimi ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, data dhe ora e regjistrimit. Fletë regjistrimi duhet të jetë i nënshkruar dhe i vulosur nga titullari i Institucionit Publik të Arsimit të Lartë/njësisë kryesore që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›