E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën 12 milionë lekë karta celulari, u sekuestrohen edhe mina

Autori i Lajmit: Redaksia
Policia e Durrësit prangosi dje në kuadër të operacionit të koduar “Kasaforta", Arbër Bardhin 21 vjeç dhe Sali Ndregjonin 19 vjeç, pasi siguroi prova të forta që vërtetojnë se ata janë autorë të grabitjes së djeshme që iu bë një dyqani në qytetin bregdetar. Sipas burimeve, të dy këta shtetas në bashkëpunim me 22-vjeçarin Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, kanë grabitur dje në orët e para të mëngjesit karta rimbushëse të kompanive Vodafone, AMC dhe Eagle, karta dixhitale dhe telefona celularë, me një vlerë 12 milionë lekë dhe kasafortën e lokalit me administrator Agron V. në të cilën ndodheshin 500 mijë lekë të prerjeve të ndryshme.

Si u realizua grabitja

Për të realizuar grabitjen, autorët shembën një pjesë të mirë të murit të dyqanit. Por, shenjat e gishtërinjve lënë në vendin e krimit çuan policinë në arrestimin e tyre dhe më pas në kontrollin e banesave të secilit. Forcat e policisë kanë punuar intensivisht gjatë gjithë ditës së djeshme dhe në banesën e Sali Ndregjonit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, përveç mallrave të grabitura me vlerë 6 milionë lekë edhe një pistoletë Zastava me silenciator dhe një autoveturë Alfa Romeo me targë BJ223JF, të falsifikuara dhe pa dokumentacion, të cilën autorët e kanë përdorur gjatë grabitjes.

Sekuestrimet

Burimet shtuan se në banesën e 22-vjeçarit Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, janë gjetur materiale të vjedhura me vlerë 5 milionë lekë, si dhe 300 mijë lekë kartëmonedha. Gjatë kontrollit në garazhin e shtetasit Arbër Bardhi është gjetur një bombë me telekomandë e tipit celular, e cila është çaktivizuar nga specialistët e Ministrisë së Brendshme. Burimet thanë se grupi hetimor po punon për dokumentimin e disa veprave të tjera penale që ka kryer grupi i grabitësve të ndaluar mbrëmjen e kaluar Kurse ne garazhin e Arbër Bardhit, u gjet një minë qe aktivizohej me celular.

Ky lajm është publikuar: 29/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›