E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortuzi,lamtumira në shtëpi

Pasi ka numëruar plot katër disfata të njëpasnjëshme, tri në kampionat dhe një në finalen e Kupës së Shqipërisë, skuadra e Tiranës do të përpiqet sot ndaj Teutës të mos thellojë rekordin e saj negativ. 

Një ndeshje në të cilën gjithsesi, fitorja do të ishte me më shumë vlerë për nënkampionen e sezonit të shkuar, që tashmë po diskuton pozitat në fund të klasifikimit. Do të jenë tre ish-lojtarë të Teutës, Osmani, Fagu e Xhafaj, të cilët do të kenë në duar fatin e ish-ekipit të tyre. Nga ana tjetër, Tirana pas pezullimit të tre futbollistëve, Duro, Vrapi e Sina, tani mund t’i gëzohet të paktën faktit që arrin të plotësojë 11-shin titullar pas rikthimit të Mohelebit e Gjoreskit të skualifikuar. Sfidë e cila, ndonëse realisht nuk ka më asnjë vlerë për bardheblutë, është vlerësuar maksimalisht nga drejtuesit më të lartë të Tiranës. Këta të fundit, pavarësisht zhgënjimit të pësuar qoftë në kampionat, ashtu edhe në Kupë, vazhdojnë të shpenzojnë për grumbullimet e ekipit. Ajo që e bën sado pak të rëndësishëm në kampin bardheblu përballjen e sotme mes Tiranës dhe Teutës, është fakti që beniamini i tifozerisë së ish-kampionëve, Indrit Fortuzi, do të luajë për të fundit herë në shtëpinë e tij. “Zogu” do të zhvillojë sot ndeshjen e tij të fundit në Tiranë, teksa të shtunën, ai do t’i thotë përgjithmonë ‘lamtumirë’ futbollit të luajtur. Ndërkaq, dy ish-futbollistët bardheblu, mesfushori Ervin Bulku e portieri Isli Hidi janë bashkuar dje në stërvitje me kontingjentin e Tiranës. Të dy lojtarët që aktualisht janë pjesë e skuadrës së Krivbasit në kampionatin ukrainas kanë përfunduar impenjimet zyrtare me ekipin e tyre dhe janë kthyer në Shqipëri, të gatshëm për grumbullimin me ekipin përfaqësues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›