E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’e dija që Bogdani do ishte një dështim”

Presidenti i Livornos ka lëshuar deklarata të ashpra në adresë të sulmuesit shqiptar Erjon Bogdani, duke thënë se ndjehet i zhgënjyer nga paraqitja e gjigantit shqiptar gjatë këtij sezoni, ndonëse kishte qenë pikërisht ai që kishte këmbëngulur për ta marrë lojtarin te skuadra e tij. 

Jetmir Halilaj

 Gjatë një interviste të dhënë për gazetën italiane “L’Espresso” kreu i klubit të Livornos ka fajësuar lojtarët për rënien një kategori më poshtë. “Më kritikojnë vazhdimisht për blerje të dështuara gjatë këtij sezoni dhe më fajësojnë vetëm mua për zbritjen e Livornos një kategori më poshtë, por nuk jam unë ai që zbres në fushë, un vetëm paguaj paratë dhe përpiqem të jem korrekt me kontratat. Nga ta dija unë që Bogdani të bënte një kampionat të tillë. Kur unë e bleva të gjithë më përgëzuan dhe më thanë se ai bashkë me Tavanon ishin një dyshe perfekte, e cila mund krahasohej me sulmin e skuadrave italiane të Serisë A mbi nivelin mesatar. Në fakt nuk ndodhi kështu dhe ky nuk është faji im”, ka thënë Spineli. “Për çfarë huazova disa lojtarë nga skuadra të tjera? Bogdanin për shembull e mora nga frika. Pas largimit të Lukarelit nga ekipi kisha frikë se mos shfaqeshin probleme në repartin e sulmit. Synimi im ishte që t’i vija në dispozicion trajnerit lojtarë me peshë të cilët të mund t’i garantonin skuadrës 20 apo 25 gola në sezon, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë unë vazhdoj të mendoj se skuadra nuk vuajti sepse nuk kishte lojtarë cilësorë, por sepse në pjesën e dytë të kampionatit e nënvlerësoi shumë rrezikun e rënies nga kategoria. Përveç kësaj nuk na ndihmuan as sulmet e vazhdueshme nga ana e bashkisë së Livornos, apo tifozët që hidhnin sende në fushë”, ka thënë Spineli. Erjon Bogdani refuzoi Romën për Livornon, gjithnjë duke menduar se aty do të kishte mundësi që të aktivizohej më tepër, por në fakt asnjëherë nuk gjeti gjuhën e përbashkët me trajnerin Kamoleze, i cili në shumicën e rasteve e aktivizonte si zëvendësues, apo edhe kur luante si titullar thuajse gjithnjë në minutën e 60-të e zëvendësonte duke mos i dhënë mundësi lojtarit që të përshtatej me skuadrën. Bogdani ishte një hap larg verdhekuqve të Luçiano Spaletit të cilët e kërkuan me këmbëngulje sulmuesin shqiptar, por duke qenë se në atë ekip 31-vjeçari nga Tirana nuk do ta kishte aspak të lehtë që të luante rregullisht, atëherë vendosi të zgjedhë Livornon, ku më pas mbeti totalisht i zhgënjyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›