E Diel, 1 Nëntor 2026

Tetovë, mijëra shqiptarë në protesta

Mijëra mbështetës të partisë së madhe shqiptare në Maqedoni, BDI, kanë demonstruar dje në qytetin verior të Tetovës për të protestuar kundër një përpjekjeje për të vrarë liderin e partisë. 

Të hënën një njeri i armatosur qëlloi në drejtim të makinës së Ali Ahmetit me automatik, ndërsa ai nisi fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 1 qershorit. Ai nuk u lëndua, por dikush pranë tij u plagos. Të paktën tetë njerëz të tjerë, anëtar të partisë së tij janë sulmuar pranë zyrave të tyre, shtatë me armë zjarri dhe një me granatë dore. Nuk janë raportuar plagosje apo viktima nga këto incidente. Protesta u mbajt nën moton “Stop Dhunës”. “Ne jemi mbledhur këtu për t’u thënë stop vrasësve dhe torturës psikologjike. 1 qershori duhet të jetë një ditë pushimi, jo një ditë dhune dhe frike”, tha Ahmeti në një fjalim. Pas incidentit, Ahmeti akuzoi rivalët e tij politikë shqiptarë në Maqedoni, PDSH, si organizatorë të këtij sulmi dhe të sulmeve të tjerë ndodhur gjatë fundjavës. Liderët e PDSH në pushtet akuzuan Ahmetin se po përhapte frikë dhe urrejtje me fjalimin e tij në tubim. PDSH mohoi çdo lloj përfshirjeje në këto incidente. PDSH iu përgjigj Ahmetit me kundërsulm. Incidenti ndodhi një ditë pasi u ther një shqiptar në një fshat aty afër, si dhe incidente të tjera të dhunshme mes BDI dhe PDSH. Viktima ishte anëtar i PDSH-së. Kjo ngjarje ndodhi një ditë pasi disa aktivistë të PDSH-së rrahën pesë anëtar të BDI-së. BDI dhe PDSH konkurrojnë për të qeverisur 25 për qind të shqiptarëve të popullsisë 2 milionë në Maqedoni. Ministria e Punëve të Brendshme, mbrëmë vonë, ka arrestuar Faruk Iljazin nga Reçica e Madhe e Tetovës, nën dyshimin se është pjesëmarrës në sulmin me armë zjarri ndaj veturës me të cilën udhëtonte lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Sulmi kundër Ahmetit ndodhi në fshatin Rakovec të komunës së Bogovinës. OSBE, NATO, NBE dhe SHBA e kanë dënuar këtë sulm. Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dënoi të gjithë incidentet nga fillimi i fushatës zgjedhore dhe u bëri thirrje partive që ta respektojnë Kodeksin për zgjedhje të qeta, korrekte e demokratike dhe paralajmëroi se do të sanksionohen të gjithë ata që shkaktojnë dhunë. “I dënoj të gjithë incidentet e deritanishme zgjedhore, u bëj thirrje të gjithë aktorëve të skenës politike që ta respektojnë atë që nënshkruan, lufta politike të ketë kuptimin e vet dhe të jetë luftë për koncepte dhe ide”, tha Gruevski. Ai dje bisedoi me dy aktorët kryesorë politikë të bllokut shqiptar, Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, ku ata shprehën gatishmërinë që të bëjnë gjithçka që është në forcën e tyre që t’i pengojnë incidentet e mëtejshme, e jo të lejojnë që emrin e Republikës së Maqedonisë ta ndyjnë disa individë që mund t’i sjellin dëm shtetit.

Berisha: Atentati ndaj Ahmetit, destabilizues

Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha kanë reaguar dje pas atentatit ndaj kreut të BDI-së, në Maqedoni, Ali Ahmeti. Kreu i qeverisë, Berisha përmes një deklarate për shtyp ka dënuar atentatin ndaj Ahmetit duke e cilësuar atë si shumë të rëndë dhe që prish paqen dhe stabilitetin në rajon. “Kryeministri Berisha dënon atentatin e djeshëm ndaj kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, zotit Ali Ahmeti si një akt shumë të rëndë, i cili kërkon të prishë paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë. Duke e dënuar me forcë këtë atentat, kryeministri Berisha shpreh besimin se autoritetet maqedonase do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar, kapur dhe vendosur përpara ligjit ata që e kryen këtë akt”, thuhet në deklaratën e kreut të qeverisë. I ashpër ka qenë edhe reagimi i ministrit Basha lidhur me këtë atentat. “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësim lidhur me ngjarjet e ndodhura në ditët e para të fillimit të fushatës elektorale në Maqedoni, siç ishte edhe incidenti i djeshëm me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti. Ministria e Punëve të Jashtme dënon me forcë çdo incident e akt dhune, nga kushdo qoftë, i cilëson ato të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet dhe rregullat demokratike, por edhe me angazhimet politike për zhvillimin e një fushate të qetë, të ndershme dhe pa tensione. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla të patolerueshme”, citohet në deklaratën e ministrisë.

Kthehen Haraçija e Morina
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka vendosur që ish-ministri kosovar dhe nëpunësi i tij të kthehen në shtëpitë e tyre, derisa të merret vendimi për gjyqin e tyre. Astrit Haraçija dhe Bajrush Morina janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të presionit mbi dëshmitarët, kundër dëshmisë së tyre në gjyqin e ish-kryeministrit të Kosovës, i liruar para pak javësh, Ramush Haradinaj. Me gjithë presionin e supozuar prej tyre, dëshmitari ka dëshmuar në këtë gjyq. Haraçija ishte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë. Morina ishte zëvendësi i tij. Ndërsa Haradinaj ishte komandant i UÇK-së gjatë luftës etnike 1998-'99 në Kosovë. Ai u lirua muajin e kaluar nga të gjitha akuzat. Në një deklaratë lëshuar dje, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vendosi që Haraçija dhe Morina të lirohen deri në gjyqin e tyre. Për këtë gjyq nuk është vendosur ende asnjë datë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›