E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-BE, Serbisë: Formoni një qeveri të qëndrueshme

BE dhe SHBA i kanë kërkuar autoriteteve serbe që pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve të shohin përpara dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme për vendin e tyre. 

 “Bashkimi Evropian do të përkrahë secilën qeveri serbe që është stabile”, ka deklaruar shefi i diplomacisë së BE-së, Havier Solana. Ai shtoi se votuesit serbë kanë zgjedhur atë që shumica e dëshiron. Solana shfaqi shpresën se në bazën e rezultateve zgjedhore do të formohet një koalicion dhe qeveri, e cila do t’i lëvizë mjetet dhe potencialet në drejtim të Bashkimit Evropian. “Ne do të dëshironim një koalicion të qëndrueshëm, sepse është më mirë të bashkëpunohet me një qeveri të qëndrueshme, me qëllim të lëvizjes së shpejtë përpara të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga ana jonë, si dhe qeveria gjithashtu të zbatojë kushtet jo vetëm të BE-së, por edhe të komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Solana. Ndërsa Shtetet e Bashkuara urojnë që Serbia të shohë përpara pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të fundjavës. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak, tha se vendimet janë në dorë të drejtuesve dhe popullit serb. “Të dhënat tregojnë se një parti ka mundësinë që të drejtojë përpjekjet për të formuar një koalicion qeveritar. Vendimet rreth koalicioneve varen nga populli serb dhe varet nga udhëheqësit e Serbisë se çfarë raportesh do krijojnë nga pikëpamja politike. Ne e kemi nxitur Serbinë të shohë përpara dhe jo nga e shkuara, të shohë drejt një të ardhmeje të ndryshme, një të ardhmeje tjetër me Evropën dhe Bashkimin Evropian”, tha Mekormak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›