E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra e rumuno-shqiptarit Liviu Lungu botohet në Tiranë



Arkeolog në kuadrin e Muzeut të Historisë Nacionale dhe Arkeologjisë në Konstancë, Liviu Lungu është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë (Filiala e Dobruxhes), romancier rumun me prejardhje shqiptare, autor i disa romaneve, ndër të cilët shquhet romani “Bukure Lek”. Berbecul (Lekë Bukurani. Dashi...), i përkthyer në gjuhën shqipe me mjeshtri profesionale nga Adriana Tabaku dhe është botuar këto ditë në Tiranë, duke pasur për redaktor Loredan Bubanin, ndërsa autor të medalionit në ballinën e dytë dr.Luan Topçiun, i cili thekson se, “Në veprën e Liviu Lungut takojmë botën shqiptare të filtruar nga kujtimet afektive të gjyshes, një botë në kufijtë e legjendës dhe sureales. Ndonëse shkrimtari nuk ka qenë asnjëherë në Shqipëri, proza e tij popullohet nga personazhe shqiptare, me peisazhe shqiptare, me dashuri shqiptare. Prozatori ndërton një gjeografi shpirtërore, duke ruajtur të gjalla viset e ëndrrave të gjyshes, dashurinë për vendlindjen e munguar dhe kërshërinë për të gjetur një pjesë të rrënjëve gjenetike…”. Sipas Ileana Polovrageanu-t, “Veçoria kryesore e Liviu Lungut është ajo e rrëfimtarit; një tregimtar i ngrohtë, kaplues, që të mbërthen me aftësitë e tij rrëfimtare, ai bën pjesë në shkollën e Mihail Sadoveanut… Shkrimtari na kujton që bota në të cilën jetojmë ka domethënie të thella dhe është merita jonë ta deshifrojmë atë. Liviu Lungu bën pjesë në kategorinë e atyre shkrimtarëve që na ndihmojnë të zbulojmë botën, domethëniet e fshehta të saj”. Sa i përket autorit të këtij romani, ai ka lindur në Konstancë, më 15 prill 1962. I ati i gjyshes nga ana e nënës, Andrei Vangjeli, tregtar me origjinë nga Krina e Gjirokastrës, mbërriti në Rumani dhe u vendos në Konstancë (1905). Gjyshja e tij, Sevasta, e lindur më 1903 në Shqipëri, ishte fëmija i dytë. U martua në Konstancë dhe pati dy vajza, njëra syresh ishte Aretia, e ëma e shkrimtarit Liviu Lungu. Në fëmijërinë e tij kanë lënë gjurmë rrëfimet e gjyshes, legjendat me lëndë shqiptare.
Baki YMERI

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›