E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: LSI-ja do të zbatojë ligjin e vitit 2005, për ish-ushtarakët



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një takim me ish-ushtarakë, me të cilët diskutoi rreth problemeve që i shqetësojnë ata, ku më kryesori është mungesa e trajtimit ushtarak dhe financiar nga ana e qeverisë “Berisha”. Në fjalën e mbajtur para ish-ushtarakëve, kryetari i LSI-së u premtoi atyre se qeverisja e koalicionit të LSI-së, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, do të vërë në zbatim ligjin që është miratuar në vitin 2005 për këtë shtresë, por që kryeministri Berisha e shfuqizoi. Kreu i LSI-së dënoi këtë veprim të kryeministrit Berisha, duke qenë se ai e votoi pro ligjin për ish-ushtarakët kur ishte në opozitë. Duke iu referuar bashkëpunimit mes LSI-së dhe ish-ushtarakëve, Meta tha se LSI-ja nuk e konsideron këtë një bashkëpunim për motive politike dhe elektorale, por si një bashkëpunim që ka në bazë të tij atdhetarizmin dhe patriotizmin. Duke vazhduar më tej, lideri i LSI-së u shpreh se “unë besoj se, pas 28 qershorit, kur Berisha pa diskutim që do të shkojë në opozitë dhe do të dalë në pension, pa diskutim që do të zbatohet Vendimi nr. 9 i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2007. Pra, do të zbatohet ligji i miratuar në vitin 2005”, - përfundoi Meta.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›