E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, drafti i ri për pensionet dërgohet në qeveri

Pikat e përfshira në draftin përfundimtar për rillogaritjen e pensioneve. Pritet përfundimi i paketës integrale, në të cilën do të përfshihet edhe SHISH-i

Jonida Tashi

Depozitohet në qeveri për miratim drafti i ri për pensionet e ish-ushtarakëve. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili bën të ditur se drafti i ri, i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Financave për trajtimin me pension të ish-ushtarakëve, ka kaluar në Këshillin e Ministrave për miratim. Gjithashtu, zëvendësministri i Financave sqaron se në paketën integrale, në të cilën do të përfshihen jo vetëm pensionet e ushtarakëve të liruar në rezervë, por dhe ato të policëve dhe punonjësve të Gardës, janë futur së fundi edhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
Pikat
Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë draftin e ri për trajtimin me pension të ish-ushtarakëve në lirim dhe rezervë. Në këtë draft, që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria, janë paraqitur edhe pikat kryesore mbi bazën e të cilave do të rillogariten pensionet e ish-ushtarakëve sipas kategorive, në varësi të vjetërsisë së shërbimit. Ndryshimet që janë propozuar tashmë i kanë kaluar fazat e shqyrtimit nga dy ministritë, ajo e Mbrojtjes dhe e Financës. Specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes i kanë bërë llogaritë duke u bazuar në gradat që kanë ushtarakët. Ndërsa specialistët e Ministrisë së Financave kanë rënë dakord për masën që do të zënë në buxhetin e shtetit këto përllogaritje. Por, pavarësisht se grupet e punës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Financave kanë përfunduar hartimin e draftit të ri në lidhje me skemën konkrete mbi të cilën do të bëhet llogaritja e pensioneve për ish-ushtarakët, pritet që diskutimet për këtë çështje të vijojnë ende nga ekspertët e qeverisë. Miratimi i këtij drafti do të shoqërohet me miratimin e një pakete të përbashkët, hartimi i së cilës po diskutohet ende në Këshillin e Ministrave dhe pritet që të bëhet publik brenda një kohe të shkurtër. Brenda këtij afati do të publikohet dhe paketa integrale e pensioneve për të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Grupet hartuese të këtij drafti kanë përcaktuar që llogaritja e pensioneve për ushtarakët do të bazohet në skemën e derdhjes së kontributeve dhe kohës së daljes nga detyra. Përparësi në këtë rast do të kenë ato kategori që kanë kontribuar në skemën e sigurimeve për një kohë të gjatë dhe dalja e tyre nga detyra është bërë pas vitit 2004. Këta të fundit do të përfitojnë dhe masën më të lartë të pensionit krahasuar me grupet e tjera.
Llogaritja
Llogaritja e pensioneve për ushtarakët e liruar në rezervë do të bazohet në vjetërsinë në punë dhe derdhjen e kontributeve shoqërore. Kjo është një nga pikat e përcaktuara në draftin e ri për përllogaritjen e pensioneve të ish-ushtarakëve. Ndërsa masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese dhe nuk mund të jetë më e lartë se kjo shumë. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë. Gjithashtu, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, shtuar me 2 për qind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.

Rillogaritja e pensionit, pikat e paraqitura në draftin e ri

Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare.
Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin:
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë.
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", shtuar me 2 për ind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal.
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.

Projektligji i ri për ushtarakët, kush preket dhe kush përfiton

Rreth 8500 ushtarakëve, sipas projektligjit të ri, do t’u rillogaritet pensioni që përfitojnë. Ndërsa 3200 të tjerë do të vazhdojnë të kenë nivelin aktual të pensioneve. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Shoqatën e Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Shkëlqim Bejo, shpjegon se rillogaritja e pensionit do të bëhet vetëm për ata ushtarakë që kanë dalë në pension para vitit 1991. Ushtarakët që do të preken nga ndryshimi i ligjit “Për sigurimin shoqëror dhe suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” do të jenë ata që kanë fituar statusin e ushtarakut, pas ndërprerjes së karrierës si ushtarakë të shërbimit aktiv dhe ushtarakë në rezervë, në lirim, në pension të parakohshëm ose në pension pleqërie, të cilët kanë qenë më parë pjesëtarë të Forcave të Armatosura. Konkretisht, Bejo sqaron se përveç ushtarakëve të liruar nga reforma pas vitit ‘91, nga ligji i ri do të “digjen” oficerët që janë në shërbim, forcat e policisë dhe forcat ushtarake aktive. Sipas tij, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të cenohet pasi ushtarakët që përfitojnë këtë trajtim financiar do të marrin dy pensione minimale.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›