E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Forumi Strategjik i Bledit bën “bashkë” Edi Ramën me Albin Kurtin

Në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit – BSF 2023, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.

Në fotot që janë publikuar në rrjetin social “X”, nga Qeveria e Sllovenisë, kryeministri Rama shihet së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, krahas pjesëmarrësve tjerë, si kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ai maqedonas, Ditimtar Kovacevski, kryeministrja e Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe ajo e Serbisë, Ana Brnabiç.

Kjo është hera e parë që kryeministri Rama shihet në një takim së bashku me kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, që pas përplasjeve mes tyre mbi situatën në veri të Kosovës.

Forumi Strategjik të Bledit edhe pse ka nisur formalisht mbrëmjen e sotme, ai do të nisë punimet ditën e nesërme dhe më 29 gusht.

Në këto dy ditë do të jenë të pranishëm kryeministri Edi Rama, por edhe liderë nga rajoni, si kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe nuk do të mungojë i dërguari special i Bashkimit Evropian  për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel.

Forumi Strategjik i Bledit, zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e 21-të.

Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›