E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama nxjerr fotot nga darka në Slloveni, shtrëngon duart me Albin Kurtin

Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë fotot nga takimi në Lubjanë të Sllovenisë në darkën e mikëpritjes së homologut slloven, Robert Golob ku ka shtrënguar duart edhe me kreun e qeverisë së Kosovës Albin Kurti.

Kjo është hera e parë që kryeministri Rama shtrëngon duart me Albin Kurtin që pas përplasjeve mes tyre mbi situatën në veri të Kosovës.

Në darkën e mikëpritjes së kryeministrit të Sllovenisë Golob që i paraprin Forumit Strategjik të Bledit në dy ditët në vijim, marrin pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ai maqedonas, Ditimtar Kovacevski, kryeministrja e Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe ajo e Serbisë, Ana Brnabiç.

Në këto dy ditë do të jenë të pranishëm kryeministri Edi Rama, por edhe liderë nga rajoni, si kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe nuk do të mungojë i dërguari special i Bashkimit Evropian  për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel.

Forumi Strategjik i Bledit, zhvillohet çdo vit në fund të verës, si një platformë gjithëpërfshirëse me një pjesëmarrje të larmishme personalitetesh nga fusha e politikës, diplomacisë, ekonomisë, sektorit privat e publik dhe akademikë, të cilët mblidhen së bashku për të diskutuar sfidat kryesore në shekullin e 21-të.

Qëllimi i Forumit është të inkurajojë aktorët pjesëmarrës për të diskutuar dhe shkëmbyer mendime dhe për të gjetur zgjidhje novatore për sfidat rajonale dhe globale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›