Forumi gjermano-shqiptar, Berisha ftesë investitorëve gjermanë
Kryeministri Sali Berisha fton investitorët gjermanë të investojnë në Shqipëri, vecanërisht në sektorin e energjisë dhe mineraleve. Gjatë fjalës së tij në forumin ekonomik gjermano-shqiptar, ai vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë në këto dy dekada, duke theksuar se investimet e këtij vendi janë pjesë e suksesit të zhvillimit të vendit tonë. Më tej duke bërë një panoramë të burimeve dhe potencialeve që disponon vendi ynë, ai ftoi investitorët gjermanë të vlerësojnë seriozisht investimin në Shqipëri.
"Ky forum mblidhet në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe zhvillimin ekonomik të saj. Në dy dekadat e kaluara kombi juaj ka qenë sponsor kryesor në Shqipëri, e angazhuar në qindra projekte në shumë fusha. Kjo ndihmë ka qenë faktor i rëndësishëm në trasformimet e Shqipërisë në këto 20 vite. Shumë kompani operojnë në Shqipëri dhe i kanë shndërruar investimet e tyre në histori suksesi. Kushtet e jetesës në shqipëri janë gjithnjë në përmirësim. Vendi është një vend i vogël në hartë por në potenciale është një vend me potenciale të mëdha energjitike. Kompani ndër më të mëdhatë në botë po investojnë në Shqipëri. Janë rreth 400 hidrocentrale për ndërtim. Kompanitë gjermane janë të mirëpritura të investojnë në këtë drejtim. Të dhënat e deritanishme dëshmojnë se kostoja e energjisë së rinovueshme është më e ulët se në vendet e tjera.Një tjetër sector me rëndësi është edhe industri minerale, ku vendi ynë ka pasuri të shumta në këtë drejtim, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe turizmin malor" u shpreh Kryeministri.
Më tej Kryeministri Berisha vuri theksin se krahas resurseve një rol të madh në shtimin e ivestitorëve ka luajtur edhe qeveria me lehtësirat fiskale dhe heqjen e burokracive, duke premtuar se do të vazhdohet edhe më tej në këtë drejtim për t`iu përafruar sa më tepër modeleve europiane dhe atij gjerman në vecanti.
E pranishme në forum, ambasadorja gjermane e akredituar në Tiranë, Carola Muller Holtkemper, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe garantoi mbështetjen e shtetit gjerman për integrimin e vendit në BE. Duke u ndalur tek biznesi, ajo theksoi se shumica e investitorëve gjermanë që operojnë në Shqipëri janë të kënaqur me rezultatet e arritura dhe optimist për të ardhmen, por shtoi se shqetësime mbeten sërish kuadri ligjor, lufta ndaj korrupsionit si dhe TVSH-ja.
"Ka shumë investitorë në Shqipëri, por mendojmë se ne nuk duhet të kemi frikë nga konkureca. Ne të gjithë sjellim sëbashku një masë shumë të madhe të interesave të biznesit të cilat cojnë në kushte të qëndrueshme për të bërë biznes në Shqipëri. Ne mbështesim ambiciet e Shqipërisë për integrimin e saj në BE. Rreth 80% e ivestitorëve gjermanë janë të kënaqur dhe të sigurtë për kompanitë e tyre dhe tregun në terësi. 40% janë optimistë për relutatet pozitive në të ardhmen, 50 % mendojnë se do ketë rritje punësimi. Ajo cfarë nevojitet është kuadri ligjor, lufta kundër korrupsionit, një tjetër shqetësim është dhe taksa e TVSH , e cila mund të diskutohet dhe ti jepet zgjidhje" tha ajo.