E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi i Avokatëve: Qeveria, presion politik mbi gjyqësorin

TIRANE - Forumi i Avokateve për Drejtësi reagoi dje me anë të një njoftimi për shtyp në lidhje me deklaratën publike të pak ditëve më 

parë të kryeministrit, Sali Berisha, në Gramsh ku pohoi se, ish-kryegjyqtari i Elbasanit Bujar Musta është larguar për në Amerikë pasi liroi një vrasës nga burgu. FAD sqaroi dje se, deklarata e kryeministrit Berisha mbi këtë çështje, cenon hapur parimet themelore kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve në Shqipëri. "Duke e analizuar parimin e ndarjes së pushteteve, nënkupton pavarësinë mes tyre në ushtrimin e veprimtarisë", thuhet në njoftimin e FAD-së, ku shtohet se megjithëkëtë, forumi ka evidentuar faktin që sistemi i drejtësisë në vend është i ndikuar nga roli i politikës dhe i dy degëve të tjera të pushtetit nuk është arritur të gjendet një zgjidhje optimale, që të mundësojë parandalimin e këtij faktori që ndikon negativisht në shtetin e së drejtës. "Është mjaft evident fakti që institucionet e sistemit të drejtësisë trajtohen në kuadrin e inferioritetit në krahasim me institucionet e tjera të ekzekutivit apo legjislativit. Rasti konkret i deklaratave publike të kreut te ekzekutivit mbi vendimet e gjyqësorit shqiptar cenon rëndë pavarësinë institucionale dhe bëhet shkas për precedentë të rrezikshëm, me pasojë keqfunksionimin e sistemit të drejtësisë në vend", shprehen avokatët. Në fund të deklaratës publike avokatët pohojnë se, i bëjnë thirrje kryeministrit Berisha dhe çdo instance tjetër të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ që të distancohen nga sulmet ndaj pushtetit gjyqësor në vend për të siguruar respektimin e Kushtetutës, e cila sipas tyre, garanton dhe siguron standardet e shtetit ligjor.                                
                                      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›