E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden në 25 krime, gjurmët e gishtave të efektivave blu

Punonjësit e policisë kanë lënë shenjat e gishtave në dhjetëra vendngjarje krimesh të ndodhura në Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Një konstatim i tillë në të cilin ka arritur prej pak ditësh Ministria e Brendshme dhe Prokuroria ka shkaktuar jo pak panik dhe frikë në radhët e policisë. Janë të paktën 25 dosje hetimore të Prokurorisë, në të cilat është vënë re se efektivë të policisë kanë lënë gjurmët e tyre të gishtave në vendin e krimit, duke i kthyer ata në jo pak raste si të dyshuar për autorësinë e veprave penale. Për çdo krim që ndodh Prokuroria kryen bllokimin e shenjave të gishtave të gjetura në vendin e ngjarjes apo në mjetet, me të cilat është realizuar krimi. Gjurmët e administruara ekspertohen dhe më pas krahasohen për të parë nëse u përkasin personave të skeduar. Zbulimi për praninë e shenjave të gishtave të policëve në të paktën 25 ngjarje kriminale erdhi pas zbatimit të ligjit të ri të policisë. Ky ligj mes të tjerave kërkonte që të gjithë punonjësit e policisë do të dorëzonin shenjat e gishtave pranë rajoneve, komisariateve apo drejtorive të policisë me qëllim që ato të jenë të arkivuara. Arkivimi i shenjave të gishtave të punonjësve të policisë është bërë me qëllim verifikimin nëse ndonjëri prej tyre ka kryer vepër penale. Edhe pse deri më tani nuk dihet nëse janë fajtorë apo jo, në 25 raste efektivat e policisë kanë lënë gjurmët e tyre në vendngjarjet e krimeve të ndryshme. Sipas Ministrisë së Brendshme, numri më i lartë i rasteve ku janë gjetur shenja gishtash të efektivave të policisë janë grabitjet e makinave, për të cilat në disa raste po hetohet përfshirja e vërtetë e uniformave blu në këto krime. Pak kohë më parë, organet e policisë administruan gjurmët e gishtave për më tepër se 10 mijë efektivë të tyre.
Krahasimi
Ato janë futur në sistemin automatik të krahasimit të gjurmëve, për të kryer një vlerësim me shenja të ndryshme që u përkasin ngjarjeve të pazbardhura. Sapo mjetet teknologjike kanë nisur kërkimin në arkivat e tyre në pak minuta janë radhitur gjurmë të ngjarjeve të ndryshme, përkrah gjurmëve të administruara nga efektivët blu. Në rastet kur gjurmët e lëna në vendin e krimit kanë qenë të ekspertëve të ndryshëm kjo ka qenë e kuptueshme, por habia më e madhe ka qenë kur shefa policie apo efektivë kishin lënë shenjat e tyre të gishtave. Kjo për shkak se vendi i krimit dhe mjetet e veprës penale preken dhe administrohen nga ekspertët kriminalistë dhe jo nga shefat apo efektivat e policisë. Në këtë mënyrë lënia e gjurmëve nga ekspertët edhe në mënyrë të gabuar është më e kuptueshme sesa lënia e shenjave të gishtave nga policët apo drejtuesit e tyre. Në Prokurorinë e Tiranës, apo në policinë e kryeqytetit mbërritja e këtyre të dhënave ka shkaktuar kaos dhe panik në radhët e policisë. Hetuesit kanë nisur të hetojnë përse gjurmët e x polici janë gjetur në ngjarje apo në vjedhje. Mendimi i parë i mbërritur në krerët e policisë ka qenë se ndonjë prej policëve pas mbërritjes në vendngjarje, ka qenë se ata janë treguar të pakujdesshëm dhe mund të kenë prekur sende apo objekte të rëndësishme për hetimin duke kryer detyrën. Në këtë mënyrë edhe mundet që gjurmët e tyre mund të kenë mbetur aty, duke u bërë për ca kohë edhe si të dyshuar. Prokurorët pasi janë njohur me këtë "rreng" të hetimit të pësuar nga policët e rolit bazë, kanë kërkuar nga oficerët e Policisë Gjyqësore, apo hetuesit në departamentin e krimeve të sqarohet roli dhe pozicioni i çdo polici për secilën ngjarje. Prokurorët mësohet se kanë lënë dhe deleguar detyra të posaçme për këto raste, duke kërkuar të mësojnë nëse policët kanë qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur ngjarja ku kanë lënë gjurmët. Kjo me qëllim për të zbardhur pozicionin e uniformave të policisë në secilën prej këtyre ngjarjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›